Përplasjet jo të pakta me PDK-në, sidomos gjatë periudhës së fushatës elektorale në Drenas, janë ndjekur nga kërcënime të shumta drejtuar gazetarit Milaim Zeka. Në një denoncim të ngritur në Policinë e Kosovës, ai ka akuzuar strukturat e larta shtetërore për rrezikim të jetës.
Referuar denoncimit të siguruar nga “Gazeta Express”, gazetari Melaim Zeka shprehet se bëhet fjalë për kërcënime të natyrave të ndryshme, të shkaktuara nga përplasjet me ish-kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, e tashmë kryetar i zgjedhur, Ramiz Lladrovci.
Kryetari Lladrovci e ka akuzuar më parë Zekën se është “ai spiuni i misioneve ndërkombëtare, si UNMIK-u e EULEX-i”.
“Unë i bëj thirrje Kadri Veselit që të dalë e të e sqarojë se a qëndron ai prapa deklarimeve të Ramiz Lladrovcit se unë kam spiunuar për EULEX-in, UNMIK-un e UDB-në”, është shprehur Zeka, i cili ka shtuar se janë së paku tre emra të fuqishëm të politikës kosovare që janë përgjegjës për rrezikimin e jetës së tij. (XH.A/SHUPLAKA)