30 anëtarë të Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, firmosën sot kërkesën për referendum të brendshëm mbi çështjen ‘Berisha’, të cilën e depozituan në strukturat më të larta të partisë.
Duke folur për mediat, një prej anëtarëve të Kryesisë së FRPD-së Xhuljan Guçe tha se pro referendumit janë shprehur 3/4 e tyre, ndërsa dha detaje dhe mbi qëndrimin e kryetarit të forumit Belind Këlliçi.
Ky i fundit nuk e ka firmosur nismën, duke marrë parasysh se është dhe pjesë e grupit parlamentar të PD-së dhe një nga mbështetësit e Bashës në vendimin e marrë për ish-kryeministrin. Ajo që bie në sy, veç numrave që duken të jenë në anën e Berishës (30 nga 40 anëtarët kanë firmosur në favor të tij), është fakti se në mesin e firmëtarëve është dhe djali i të ndjerit Sokol Olldashi.
“Duhet të merret vendimi i të gjithë anëtarëve, pasi bëhet fjalë për liderin e PD-së, ky referenfum që ne kërkojmë do të sqarojë të gjitha paqartësitë që ka lënë vendimi i zotit Basha. Peticioni i drejtohet zotit Bardhi dhe zotit Paloka, jemi në pritje të përgjigjeve nga ata. Në rast se anëtarësia e PD-së vendos pro vendimit të kryetarit Basha, atëherë Berisha do të duhet të qëndrojë jashtë grupit parlamentar.
Janë 3/4 e kryesisë së FRPD-së që e kanë firmosur këtë vendim, nga 40 anëtarë, 30 e kanë firmosur vendimin. Nuk është një vendim që duhet të merret nga një individ i caktuar.
Zoti Këlliçi është anëtar i kryesisë së forumit rinor, dhe kryetar, ai përfaqëson unin e vetë. Ne kemi një detyrim ndaj anëtarëve tanë. Berisha nuk ka kërkuar ndihmën e askujt, por ne duhet të jemi transparent me mbështetësit tanë”, u shpreh Guçe, i cili u kujdes të sqaronte se nisma e tyre nuk ishte e shtyrë nga ish-kryeministri.
Berisha nga ana e tij do të nisë takimet me bazën e demokratëve në Tiranë, një tur të cilin ai e ka konsideruar një cikël për një PD më të fortë dhe më të hapur për të gjithë. (Lexo edhe ketu lajmin)
Njoftimi që Berisha u ka çuar demokratëve:
Te dashur miq, Diten e enjte me dt 16 shtator ora 18:00 ne Hotel Rogner nisim ciklin e “Foltores per nje Parti Demokratike me te bashkuar, me te forte dhe me te hapur”!
Foltorja do te jete nje bashkebisedim me demokratë dhe demokrate qe nis ne Tirane dhe do udhetoj ne mbare vendin. Jeni te mirepritur!
Në disa dalje të njëpasnjëshme televizive, Berisha ka deklaruar se ai nuk ka ndërmend që të iniciojë krijimin e një lëvizje të re politike, dhe beteja e tij do të jetë për ringritjen e PD.
I pyetur nëse ka ndërmend që të zëjë vendin e Bashës në krye të partisë, Berisha nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë, duke thënë se nëse do të jetë vullnet i ”atij lart”, ai do të punojë çdo ditë për ringritjen e PD.
Sa i takon vendimit të Lulzim Bashës, që e përjashtoi nga grupi parlamentar, Berisha thotë se nuk e njeh, dhe çoi shkresë në Kuvend, se ai i përket pikërisht grupit të PD, me votat e të cilës u zgjodh dhe si deputet.
(E.K/Faxweb.al)