Jozefina Topalli dhe Arben Imami kanë kërkuar sot shkarkimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës, pas lënies jashtë listave të kandidatëve për deputetë.
Rrjetet sociale janë mbushur me postime që kundërshtojnë apo mbështesin Topallin dhe Imamin, ndërkohë që gazetari Endri Xhafo i bën një kërkesë të drejtpërdrejtë ish-kryeministrit Sali Berisha.
”Doktor ndaje me kë je!”, shkruan Xhafo.
KOMENTI I PLOTË:
“Të shkarkojmë Lulzim Bashën”!
Ja një propozim konkret! Ja një kundër-masë konkrete kundër listës së shpresës së vrarë të Lul Bashës. Kundër vizionit të tij thellësisht klientelist të Republikës së Re-lindur. Ndoshta komardarja e fundit për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet nga dështimi spektakolar i Partisë demokratike më 25 qershor, 26-ta do të ishte tepër vonë; kamardarja e fundit për të shpëtuar partinë e idealeve të mëdha nga bjerrja e mëtejshme dhe përfundimtare e vlerave mbi të cilat u themelua; një shans i fundit që kjo parti të mund të mbajë ende gjallë shpresën në këtë vend. Pse? Sepse shpresën nuk e mban gjallë qeveria, pushteti në ushtrim e sipër, por ideali i opozitës, i aspiratave të pakonsumuara.
Nëse e varros idealin duke e shndërruar partinë në ndërmarrje familjare, e ke dënuar krejt popullin në një dëshpërim të thellë, në një depresion kolektiv! Por sado skuth e djallëzor që është, Luli është prapë shumë i vogël për një të keqe kaq të madhe! Ndaj duhet të ikë një orë e më parë! Çështja është ç’mendon ti Doktor?
Doktor, duhet ta ndash me kë je! Ti the se s’kishe dijeni për listat! Unë s’të besoj! Por nuk ka rëndësi tani ç’besoj unë apo plot të tjerë! Kemi një fakt, një kërkesë konkrete të bërë nga dy individë që përfaqësojnë dy linja historike të partisë: Arben Imami, një bashkëthemelues i PD-së, që e kërkoi demokracisë e brendshme qysh më 1992 kur ti drejtoje me dorë të hekurt, dhe Jozefina Topalli, që të qëndroi pranë kur Arbenit i mori koka erë dhe u vesh me roba ushtarake, duke shpallur majë tankut në Vlorë, marshimin drejt Tiranës për të të rrëzuar ty.
Sot këta të dy janë bërë bashkë, edhe me bagazhin e përvojave të shkuara, të drejta apo të gabuara, dhe kanë shpallur një propozim konkret. Duhet ta ndash me kë je! S’mund të lash duart si Pons Pilati “unë s’dija gjë”! S’dije gjë, por tani që di ç’mendon? Ose do të thuash që vërtet ti s’dije gjë, por kryetari veproi konform kompetencave të veta, ose do të pranosh që partia e Lulit që do të dalë pas 25 qershorit nuk është jo partia e ’90-ës, se atë e shkatërrove vetë në ’92-shin për ta ringritur prapë në 2005-ën, por nuk do të jetë as një hije e zbehtë e çdo ideali që ti vetë ke shpallur edhe kur nuk e zbatoje.
Doktor, unë e di që shefat e kanë të vështirë të pranojnë gabimin, sepse u mungon përulësia intelektuale për të pranuar që tjetri edhe mund të ketë të drejtë. Aq më pak mund ta pranojnë shefat gabimin kur bëhet fjalë për dështimin e beniaminit të tyre, investimit të tyre njerëzor në ndërmarrje apo politikë. Por dreqi e mori Doktor, pranoje që nëse Rama është një kopje e jotja, Luli është një kopje e keqe e Ramës!” (V.G/SHUPLAKA)