Ministri i Brendshëm i Francës, Grard Collomb është shprehur gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e jashtë të Shqipërisë, Ditmir Bushati se kërkesat e shqiptarëve për azil refuzohen sepse janë të pajustifikuara.
Pas takimit, për shkak të situatës së krijuar ministri i Brendshëm i Francës ka deklaruar se do të vizitojë Shqipërinë pas tre muajsh, për të bërë një bilanc të masave që shteti shqiptar do të marrë për të reduktuar emigrimin e paligjshëm në Francë dhe kërkesat për azil.
Gjatë konferencës për shtyp, ministri Bushati ka prezantuar një plan masash, të cilat, sipas tij, do të japin rezultat në tre muaj. Ai ka kërkuar mbështetjen e Francës për procesin e hapjes së negociatave me BE-në.
MINISTËR I BRENDSHËM I FRANCËS, GERARD COLLOMB :
Ky takim i sotëm u zhvillua pas një bisede telefonike që pata javën e kaluar me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Siç e dini, që prej vitit 2010, shqiptarët mund të lëvizin për qëndrime të shkurtra në vendet e BE-së pa pasur nevojë për viza.
Kjo masë kontribuoi sigurisht në afrimin e Shqipërisë me BE-në, por fatkeqësisht ne konstatojmë gjithashtu se pikërisht që prej vitit 2010 kemi një rritje të vazhdueshme dhe të theksuar të emigracionit shqiptar ilegal drejt territorit francez, shoqëruar kjo me një rritje të lartë të kërkesave për azil nga ana e shqiptareve që vijnë në Francë.
Një pjesë e madhe e këtyre kërkesave për azil refuzohen nga Franca, sepse janë të pajustifikuara. Tema e takimit tonë të sotëm ishte të studionim mjetet për të gjetur një zgjidhje ndaj këtij fenomeni të emigracionit të parregullt të shqiptarëve në Francë; me këtë rast dua të përshëndes zotin ministër shqiptar të Punëve të Jashtme dhe zonjën zëvendësministre të Punëve të Brendshme të Shqipërisë për iniciativën që ju keni ndërmarrë për të më paraqitur një plan me aksione që synojnë që brenda një hapësire kohore prej tre muajsh, ashtu siç është fiksuar me kryeministrin tuaj, ju të arrini rezultate konkrete në luftën kundra emigracionit të parregullt.
Franca ju inkurajon në këtë plan dhe ne jemi të gatshëm t’ju mbështesim për të përforcuar kontrollet në kufi, në mënyrë që të ulim ndjeshëm flukset e këtij emigracioni të parregullt e veçanërisht të minorenëve të pashoqëruar; mund t’ju mbështesim po ashtu për të luftuar kundra dokumenteve false. Kemi shkëmbyer, pra, mendime për këtë plan aksionesh gjatë bisedës sonë.
Ne duam të bëjmë një bilanc të masave që ju na keni propozuar dhe të impaktit të tyre me rezultatet konkrete brenda tre muajve të ardhshëm. Unë do të vij vetë në Tiranë pas tre muajsh për të bërë bilancin e këtyre masave që ju do të keni vënë në zbatim. E theksoj, është e rëndësishme që të kemi rezultate konkrete, domethënë një ulje të ndjeshme të numrit të shtetasve shqiptarë në situatë të parregullt në territorin francez. Mbi bazën e angazhimeve që u morën sot nga autoritetet shqiptare, dua të jem besimplotë se rezultatet bindëse do të arrihen dhe dua të falënderoj gjithë pjesëmarrësit e delegacionit shqiptar për punën e kryer sot.
MINISTËR I JASHTËM I SHQIPËRISË, DITMIR BUSHATI:
Ju falënderoj, zoti ministër Collomb, për mikpritjen dhe mundësinë që na dhatë sot për të bashkëbiseduar për një temë, e cila, siç e thatë dhe ju vetë, është një sfidë për Francën dhe Shqipërinë, sepse ka lidhje me emigracionin e paligjshëm, një fenomen që qeveria e Kryeministrit Rama është e vendosur për ta luftuar.
Siç u tha dhe nga ministri Collomb, ne sot dorëzuam një plan veprimi, i cili ka dy objektiva kryesore: së pari, për të reduktuar ndjeshëm numrin e shqiptarëve, të cilët kanë abuzuar me lirinë e lëvizjes, duke qëndruar në territorin francez jashtë rregullave dhe së dyti, për ta demotivuar këtë fenomen dhe sidomos për të luftuar rrënjët e këtij fenomeni së bashku.
Gjithashtu ramë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, aq më tepër që tani Franca dhe Shqipëria janë partnere strategjike me dokumentin që kemi firmosur në pranverën e këtij viti këtu në Paris dhe në këtë kontekst, së shpejti në Tiranë, krahas vizitës suaj që ne e mirëpresim, do të kemi dhe stacionimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme të Francës për të na ndihmuar së bashku me autoritetet shqiptare, në mënyrë që ky fenomen të luftohet në mënyrë efektive.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve tona, aq më tepër që Shqipëria, së bashku me vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, janë pjesë e vijës së parë të Shengenit dhe jemi të vendosur që të punojmë në mënyrë të përditshme së bashku; në tre muajt në vijim do të kemi bilancin e parë, kur do kemi dhe takimin e radhës, ku do të fillojmë të diskutojmë besoj dhe për çështje të tjera të mprehta, të cilat sot për sot përbëjnë shqetësim për arkitekturën e sigurisë europiane, ku Franca dhe vendi ynë në Europën Juglindore kanë një rol për të luajtur;
së fundi do të dëshiroja t’ju falënderoja për gatishmërinë që na treguat për të na mbështetur jo thjesht me asistencë teknike, por dhe logjistike, krahas vullnetit të qartë politik që Franca ka dëshmuar në procesin e vështirë të reformave që kemi ndërmarrë gjatë këtyre viteve dhe në mbështetjen që na keni dhënë në procesin për integrimin europian, aq më tepër që vendi ynë pret të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. (B.H/Shuplaka)