Kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri vijojnë, por deri tani nuk ka asnjë rezultat konkret. Që prej mesditës së të shtunës së kaluar, kur Arditi ka humbur kontaktet, nuk është gjetur asnjë shenjë e tij. Dyshohet se ai është rrëmbyer nga rrjedha e një rezervuari, pas çarjes së tij, gjatë procesit të përpunimit të kromit. Mjeti me të cilin po punonte gjithashtu është përfshirë në këtë ngjarje tragjike.
Në kërkim të tij janë angazhuar forca të shumta, përfshirë ato të kërkim-shpëtimit, forcat e armatosura, banorët e zonës dhe familjarët, por deri tani përpjekjet kanë mbetur të pasuksesshme. Kërkimet janë fokusuar përgjatë rrjedhës së përroit afër lumit Mat, në drejtim të Qafë-Burrelit, aty ku ndodhet fabrika e përpunimit të kromit. Ndërkohë, gjatë ditës së martë, një mjet tip fadromë ka zbarkuar në përrua, ku është ndalur rërë që dyshohet të jetë trupi i Arditit.
Për të ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e të riut, ka mbërritur dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i cili është angazhuar për mbështetje të operacioneve të kërkimit.
Ngjarja ka ndodhur më 3 maj, kur Ardit Beshiri po punonte me eskavatorin në stokun e fabrikës së përpunimit të kromit, që kohët e fundit ishte shfrytëzuar nga një shoqëri kineze. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij, dhe kërkimet po vazhdojnë me shpresën për të sjellë ndonjë informacion të ri.
Kjo ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin dhe ka mbushur me shqetësim familjen dhe të afërmit e Arditit, të cilët presin me padurim ndihmën e forcave përkatëse për gjetjen e tij.