Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të PD, Sali Berisha i cili në ankimin e tij kërkoi shfuqizimin e masës së SPAK “arrest shtëpie” ndaj tij. Berisha qëndroi në arrest shtëpiak për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për 333 ditë me radhë. Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se pretendimet e Berishës se duhej ndjekur procedura parlamentare përmes heqjes së imunitetit në Këshillin e Mandateve dhe anshmëria e gjykatave sipas tij, nuk qëndrojnë.
“Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:
1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar
2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:
i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;
ii) së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.
B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.