Në kulmin e zhvillimeve në vend, duket se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu do të jetë në detyrë deri në gusht të vitit 2018.
Para disa ditësh, u publikua lajmi se ambasadori amerikan kërkoi shtyrjen e mandatit të tij, dhe tashmë kjo shtyrje është konfirmuar për “Top Channel” nga burime pranë Departamentit amerikan të Shtetit.
Atij i përfundon mandati në janar, por Donald Lu do të jetë përfaqësuesi i Uashingtonit në Tiranë deri në fund të verës së ardhshëm.
Shtyrja e mandatit të Lu-së vjen disa ditë pas deklaratave të forta që ambasadori bëri në lidhje me situatën e krimit në vend, dhe disa nga familjet që kanë lidhje me bandat.
Muajt në vijim do të jenë të rëndësishme po ashtu për zbatimin e vettingut dhe Reformës në Drejtësi, në të cilën Donald Lu është angazhuar personalisht gjatë ushtrimit të detyrës në Shqipëri.
Por, zgjatja e misionit të tij nuk është e paprecedentë. Edhe disa nga paraardhësit e tij kanë qëndruar në detyrë përtej mandatin që kanë pasur.
(E.K/SHUPLAKA)