Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan rrëzon kërkesën e ish kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici për zëvendësimin e pjesës së mbetur të dënimit me qëndrim në shtëpi për shkak të kushteve shëndetësore.
Pala mbrojtëse ka pretenduar se Gjici deri më tani ka kryer mbi 2 vite burgim, nga 3 vite totale, ku pjesën e mbetur të dënimit kërkohet që ta kryejë në banesën e tij.
Arsyeja mbetet ajo shëndetësore, ku ish-kryebashkiaku, për shkak dhe të gjendjes së tij të rënduar psikologjike, është rënduar dhe aktualisht është diagnostikuar me zgjerim të aortës, probleme kadiovaskulare dhe diabet, një sëmundje ku i dënuari ka marrë mjekim dhe më parë, duke iu referuar dhe kartelave mjekësore.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit është dënuar me formë të prerë nga GJKKO me 3 vite burgim, për “korrupsion pasiv”, pas skandalit seksual në zyrën e tij, i publikuar në qershor 2023.
Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit
Safet Gjici u arrestua më 24 qershor të vitit 2023, pas video-skandalit të regjistruar në zyrën e tij ku ai kryen marrëdhënie intime me një grua (Akma K).
Fillimisht më 7 shkurt të 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Gjicin me dy vite burg.
Por më 24 qershor 2024 Gykata e Posaçme e Apelit e hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin, dhe e dënoi përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg.
Gjithashtu Gjicit iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.