Mungesa e njërit prej avokatëve ka bërë që të shtyhet procesi gjyqësor për Namik Velajn në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Velaj ka vrarë në janar 2017 bashkëshorten Verke Velaj, ndërsa nuk ka pranuar asnjëherë autorësinë e krimit.
Shkalla e parë e ka dënuar me 35 vite burg, ndërsa pak më herët ka kërkuar zhvarrimin e trupit të bashkëshortes. Pas zhvarrimit u zbulua se viktima ishte dhunuar para se të vritej. Të moshuarës iu konstatua krahu i thyer dhe dëmtime në afërsi të qafës.
Gjykata për Krime të Rënda dënoi në muajin Prill të këtij viti me 35 vite burg Namik Velaj. I moshuari vrau bashkëshorten e tij Verke Velaj, në Janar të vitit 2017-ës, gjithashtu fajtor u deklarua edhe mjeku Ilir Tanku, për “Shpërdorim detyre”, duke bashkëpunuar me autorin e krimit. Mjeku u dënua me 2 vite burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe do të shlyhet me 4 vite shërbim prove.
Krimi në familjen Velaj në Patos u fsheh, duke u raportuar fillimisht, si vdekje natyrale. Ishin veprimet hetimore të kryera në vijim nga Prokuroria për Krimet e Rënda që zbardhën krimin, duke identifikuar 76-vjeçarin si autor.
Indiciet e para për vdekjen jo natyrale të Verke Velajt u morën nga të afërm, të cilët gjatë ceremonisë mortore konstatuan hematoma në qafën e viktimës.
Kujtojmë se vrasja ka ndodhur në janar të 2017-ës, por 67-vjeçari u arrestua në mars të 2018, pasi vdekja e Verke Velaj, u raportua si natyrale, version i konfirmuar edhe nga mjeku Ilir Tanki, i cili është marrë i pandehur për shpërdorim detyre.
(M.Q/Faxweb.al)