Ditën e djeshme maturantët në të gjithë vendin kanë kryer testin e lëndës me zgjedhje, ndërsa e konsideruan testin të vështirë, veçanërisht për lëndën e Biologjisë, që sipas tyre kishte shumë pyetje jashtë programit.
Sot maturantët janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Arsimit ku kërkojnë ripërsëritje të testit.
“Shumë prej maturantëve janë sot duke qarë, çdo vit është e njëjta gjë, çdo vit maturantë që ankohen. Ata vetë e dinin që testi i tyre ishte skandaloz, reagimi i ministres ishte për të penguar protestat tona, ne kërkojmë ribërjen e testit. Ne jemi mjekët e ardhshëm, nuk mund të trajtohemi në këtë mënyrë”, u shpreh një prej maturantëve.
Nxënës që kishin zgjedhur lëndë me zgjedhje Biologjinë apo dhe Fizikën, ndërkohë që shprehen se pyetjet ishin jashtë programit.
“Programi për provimin e Biologjisë ishte jashtë programit. Siç ishin ekosistemet. Nuk duam që të na falin pikë, pasi duam që të marrim vlerësimin e drejtë për atë çka kemi punuar. Ne kërkojmë ribërjen e tekstit. Pikët që i përkasin pyetjeve jashtë programit, kërkojmë që të na eliminohen. Na u premtua se asgjë nuk do të jetë jashtë programit. Testi model nuk kishte lidhje me ato çka na u ofrua me testin e Maturës”, tha një maturante.
Sipas maturantëve janë plot 18 pikë që ishin në testim, me pyetje jashtë programit, çka do të sillte penalizimin e tyre në ndjekjen e degëve të studimit që kanë pasur si preferenca të para.
Vetë ministrja e Arsimit Evis Kushi pranoi dje shqetësimet e drejta të maturantëve, dhe tha se një grup ekspertësh po ndjek mënyrën se si do të bëhet vlerësimi.
Një ditë më parë janë publikuar notat e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe nga 29 731 maturantë pjesëmarrës në testim, vetëm 4 kanë arritur të vlerësohen me 10.