Reforma territoriale është debatuar shpesh nëpër media, pasi e shoqëruar me decentralizimin duket sikur ka krijuar një kaos.
Mbrëmjen e sotme, në emisionin investigativ BOOM, u publikua rasti i Bashkim Tufës nga Farka. Zotëria në fjalë nuk regjistron dot 2000 metra katrorë tokë të trashëguar nga daja e tij dhe për të cilën ka një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Mirëpo ai ka mbetur duke shkuar sa nga njësia administrative Farkë dhe ajo numër 6 në Kombinat, pasi ato nuk vendosin dot se cila e ka në kopetencë.
DENONCIMI
Bashkim Tufa: I jemi drejtuar emisionit “BOOM” për moszbatimin e një vendimi gjykate dhe të një urdhër ekzekutimi të dhënë nga gjykata e rrethit Tiranë me gjyqtar Altin Shkurtin. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë nuk po e zbaton prej një viti këtë vendim. Kemi fituar një vendim gjykate të formës së prerë dhe një urdhër ekzekutimi në shkallën e parë dhe të dytë dhe për tu bërë bashkëpronarë me dajën tonë Ramazan Rexha në një pasuri me numër 45/2, sipërfaqe 2000 metra katrorë. Kemi një vit që kërkojmë ta regjistrojmë këtë pasuri në ZVRPP dhe nuk na e regjistron duke na sjellë probleme të ndryshme lidhur me saktësimin e sipërfaqes. Saktësimin e sipërfaqes e ka bërë po eksperti i gjykatës, që është caktuar nga gjykata, topograf me licencë dhe ka dorëzuar planin e rivelimit në Hipotekë. Kërkojmë vetëm marrjen e çertifikatës së pronësisë në emër të gjithë bashkëpronarëve të cilën e trashëgojmë nga gjyqi jonë këtë pronë. Ne e fituam në gjykatë dhe e saktësuam dhe sipërfaqen dhe njësia Farkë u thirr atje, sepse ajo e ndau këtë tokë me 7501, nuk e ndau njësi tjetër. Kjo është përgjegjëse. Sot ajo thotë se nuk është në territorin tonë.
BOOM në njësinë administrative Farkë
Gazetarja: Kemi ardhur për një shqetësim që ka zoti Bashkim Tufa.
Administratori i njësisë Farkë: Ëhëë.
Gazetarja: Ka një vendim gjykate për ti regjistruar pronën. Çdo gjë është ok deri në momentin..
Administratori i njësisë Farkë: Mbylle atë kamerën, bisedojmë thjesht..
Gazetarja: Nga ZMMT-ja rezulton se pasuria me këtë numër ndodhet jashtë territorit të njësisë administrative Farkë.
Administratori i njësisë Farkë: Po.
Gazetarja: Duam të takojmë personin përgjegjës sepse kjo pronë që ka zotëria ndodhet nën administrimin tuaj.
Administratori i njësisë Farkë: Mbase është bërë dhe gabim se mund të jetë vija ndarëse ndërmjet dy njësive dhe shpesh herë ndodh kjo, nuk është hera e parë. Do ju dërgoj tek shefi i sektorit, pastaj topografi, urbanisti, do ti shikojmë me kujdes ku është problemi.
Shefi i Shërbimit: Do më gjesh dosjen Bashkim Tufa, i kemi kthyer një përgjigje që nuk është në territorin tonë.
Gazetarja: Nga njësia administrative Farkë kanë qenë në gjyq me zotërinë si palë të thirrura. Dhe këto persona kanë pranuar që kjo pronë është brenda kësaj njësie administrative dhe nuk e kanë refuzuar.
Shefi i Shërbimit: Mundet të ketë qenë në atë moment, nuk e di.
Gazetarja: Sipas ndarjes së re territoriale zotëria e ka pronën këtu?
Shefi i Shërbimit: I bie në Kombinat.
Gazetarja: Është në Kombinat?
Shefi i Shërbimit: Njësia 6, të njëjtat letra që do të bëjë këtu ky, duhet ti bëjë atje.
Gazetarja: Atëherë kjo dosje duhet të transferohet në Kombinat?
Shefi i Shërbimit: Normal nëqoftëse është te njësia 6.
Gazetarja: Kam hall se do të na ngeli pa zgjidhur, ato do të na sjellin prapë tek ju.
Shefi i Shërbimit: Çfarë të kanë thënë ata?
Qytetari: Urbanistika më ka thënë që nuk është kompetenca jonë.
Shefi i Shërbimit: Çoji këtë njësisë 6, thuaji ma ka dhënë shefi i shërbimit të Farkës, ja po ti vë firmën këtu. Ja ku e ke dokumentacionin thuaj, ma ka dhënë shefi i shërbimit të njësisë administrative Farkë.
BOOM në njësinë 6 në Kombinat
Gazetarja: Njësia administrative Farkë ka thënë që planin e rivelimit duhet ta japë njësia 6. Është kompetenca juaj?
Juristi Qemal Hysa: Jo absolutisht jo. Me ndarjen e re territoriale me vërtetë është në territorin tonë por këto prona i administron njësia Farkë. Në bazë të ligjit 7501 për tokat, pronat i administron njësia Farkë. Aktin e marrjes së tokës në pronësi e ka ndarë Farka. Vetëm Farka mund të bëjë një dokumentacion të tillë.Është problem institucional, duhet ti drejtohemi bashkisë së madhe për interpretim ligjor.Nuk kemi kompetenca për të përmbushur këtë detyrim ndaj qytetarit. Këto prona derisa i administron ajo bën dhe dokumentacionin e duhur.
BOOM rikthehet në njësinë Farkë
Gazetarja: Sapo u rikthyem nga njësia 6 dhe na kanë thënë që nuk kemi asnjë lloj kompetence, por i ka njësia Farkë. Juristi që ka lëshuar këtë shkresë tha se mbaj të gjithë përgjegjësinë ligjore që kjo shkresë është e saktë dhe ne nuk kemi asnjë lloj përgjegjësie.
Shefi i shërbimit: Qenka tregu shumë zyrtar juristi. Po ç’është kjo mbaj përgjegjësi, përgjigje prej idioti më fal që po ta them.Çdo me thënë mbaj..
Gazetarja: Përgjegjësi për përgjigjen time.
Shefi i shërbimit: Pse i bie që administrtori jonë nuk mban përgjegjësi? Ose juristët tanë nuk mbajnë përgjegjësi?
Gazetarja: Si mund ta zgjidhim këtë rast?
Shefi i shërbimit: Duhet me u zgjidh me bashkinë këto raste, kemi jo një por dhjetra raste me Shkozën, Kombinatin, me njësinë 5. Të nxjerrë bashkia një urdhëresë që të merremi ne. Kemi firmos këto muajt e fundit nja 20 shkresa që nuk është në njësinë tonë. Ose ta kërkojë në Bashki, se i bie të ngelen të gjithë pezull, kjo kategori njerëzish.Ky ka hall, ne kemi hall, si do të dalim jashtë njësisë. Ti bëjmë një shkresë Bashkisë si do të trajtohen këto raste. Nesër niset në bashkinë e Tiranës, unë do të ulem ta hartoj direkt.
Gazetarja: Ok.
Qytetari: Kjo mungesë vjen nga një mosudhëzim nga bashkia e madhe, një ligj që ndoshta këta mund ta kenë por nuk e zbatojnë. Tani të shohim se çfarë do të thotë bashkia e madhe. I bëj thirrje bashkisë së madhe të lëshojë udhëzimin që të lëshojnë planet e rilevimit në mënyrë që të regjistrojmë pronat tona në Hipotekë. (D.D/Shuplaka)