Jael Çela, ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, person në kërkim tashmë, ka kërkuar të mos zgjaten hetimet nga Prokuroria ndaj tij.
Kërkesa u bë pak ditë më parë nga ana e avokatëve të tij, të cilët thanë se zgjatja e hetimeve është në shkelje të ligjit.
Jael Çela dyshohet për trafik drogë me bandën e Habilajve. Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi më 15 mars të zgjasë me 3 muaj afatin e hetimeve për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jael Çela.
Vendimi u mor pas kërkesës së prokurorit Dritan Premçi, i cili tha se momentalisht po kryhen transkriptimet e dy viteve që Çela ka qenë nën përgjim.
Në kuadër të këtyre hetimeve, janë nisur edhe letër – porosi drejt Italisë dhe Greqisë, dhe pritet përgjigja e shteteve fqinje.
Avokati mbrojtës i Çelës pretendoi seancën e kaluar, se nuk është njohur me faktet implikuese:
“S’jemi njohur me faktet. Janë duke u transkriptuar përgjimet telefonike te Jealdit dhe grupit Habilaj për të parë implikimin e tij lidhur me akuzat. Klienti im nuk mund te implikohet për një mesazh urimi”, tha avokati i Çelës pasi ish-drejtori i policisë së Vlorës dyshohet se i kishte dërguar një sms urimi Moisi Habilajt.
(E.K/FAXWEB.AL)