Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e PD-së për çregjistrimin e Qerim Ismailajt si kandidat në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë shqyrtimit të kësaj seance, Partia Socialiste për të mbrojtur interesat e Ismailajt u përfaqësua nga avokatët, Andi Skënderi dhe Eridian Saliani.
Ismailaj është kryetari aktual i bashkisë, ndërkaq është zgjedhur nga strukturat e PS-së për të rinkandiduar në garën e lokaleve.
Kujtojmë se, para disa kohësh, Qerim Ismailaj është marrë i pandehur nga SPAK me akuzën se fshehu një dënim në Greqi në vitin 2000.
Njoftimi: Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore nr. 48, datë 07.04.2023, me ankues Partia Demokratike e Shqipërisë, me objekt “Shfuqizimi pjesërisht i vendimit nr. 300, datë 05.04.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Verifikimi i deklarimeve në formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”. Ndalimin e kandidimit të kandidatit për kryetar bashkie të Mallakastrës, shtetasit Qerim Ismailaj, të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS me shumicë votash vendosi moskalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore.