Përplasjet mes Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe kryetarit të bashkisë, Dritan Leli, kanë vijuar në distancë me anë të shkresave. Në shkresën e fundit që Këshilli Bashkiak ka dërguar, njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen mujore të përhershme, duke mos dhënë asnjë lloj arsyeje.
Për këtë ka reaguar menjëherë kryetari i Bashkisë Dritan Leli, i cili u shpreh se nuk mund të lejonte që haraçin e tij ta paguanin edhe qytetarët. Ai shkruan se në mbledhje do të diskutoheshin pika shumë të rëndësishme për qytetarët dhe se anullimi do të jetë në dëmin e tyre. Gjithashtu ai kërkon që tu jepet fund gjyqeve teatrale që po zhvilloheshin ndaj tij sepse tani ishte koha kur fillonte kulmi i sezonit turistik dhe duhet të ofrohej shërbim i mirë për turistët.
Postimi i Plotë i Dritan Lelit
Pas radhës së gjatë të kërkesave për mbledhje jashtë radhe, në emër të së mirës së qytetit, sot, këshilltarët bashkiak, kanë anulluar mbledhjen e radhës, atë të çdo muaji, ku vërtet mblidhemi për interesat e qytetit e ku përgjatë më shumë se një viti, kemi diskutuar online, siç ishte parashikuar të ndodhte edhe sot!
Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve!
Të nderuar këshilltar, e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës! Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam.