Anëtarët e Këshillit Evropian diskutuan situatën në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale në 9 gusht.
Këshilli Evropian ka mbështetur propozimin e OSBE-së për dialog në Bjellorusi, duke ofruar ndihmë për të zgjidhur situatën e tensionuar atje pas zgjedhjeve të 9 gushtit, rezultati i të cilave u konsiderua tërësisht i manipuluar nga opozita dhe organizatat ndërkombëtare.
Në pikën 8 të vendimit të miratuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli shpreh mbështetje për iniciativën e kryetarit te OSBE, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore. BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i përmirësuar ato”.
Më tej, anëtarët e Këshillit theksojnë se zgjedhjet e “9 gushtit nuk ishin as të lira dhe as të drejta, prandaj nuk i njohim rezultatet”.
“Anëtarët e Këshillit Evropian dënojnë dhunën jo proporcionale dhe të papranueshme të shfaqur nga autoritetet shtetërore kundër protestuesve paqësorë. Dhuna duhet të shmanget dhe të gjithë ata që janë ndaluar në mënyrë të paligjshme duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Shoqëria civile dhe aktorët e opozitës të përfshirë në diskutime mbi tranzicionin politik duhet të mbrohen nga arrestimet arbitrare dhe dhuna. BE pret një hetim të plotë dhe transparent për të gjitha abuzimet e pretenduara”, thuhet më tej.
Këshilli ka vendosur gjithashtu që BE-ja së shpejti do të vendosë sanksione kundër një numri të konsiderueshëm të individëve përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.