Kreu i KQZ-së Denar Biba është kthyer ditët e fundit në një objekt debati, herë me deklaratat e tij dhe herë me përjigjet që i bëhen.
Mjaftoi një deklaratë e disaditëve më parë e tij ku tha që afati për regjistrimin e partive në zgjedhje mund të shtyhet ajo që nxiti mjaft polemika.
Fillimisht ishte kreu i opozitës Lulzim Basha ai që i kujtoi Bibës që nuk ishte papa i Vatikanit me ato deklarata që bënte.
Ndërkohë që në një reagim të tijin kundër qëndrimeve të Bibës është shprehur edhe Këshillatri demokrat në Bashkinë e Tiranës Leonard Olli.
REAGIMI I LEONARD OLLIT:
Dhe ajo që e bën më qesharak atë dhe vartësit e tij në PS, parti politike apo institucione, është të folurit si zakonisht me togfjalëshat “në emër të ligjit” apo të “shtetit ligjor”. Të artikuluara nga Rama këto shprehje duken njëlloj sikundër djalli që kur do të justifikojë paudhësitë e tij, flet gjithë pasion për zbatim të Biblës. Një ndër personazhet më të keqpërdoruara mbetet edhe Denar Biba, aktualisht kryetar i KQZ-së.
Pasi e detyroi të dorëhiqej në mënyrë të parevokueshme nga anëtar i KQZ para zgjedhjeve të vitit 2013, për arsye të besnikërisë së verbër jo vetëm që e riktheu në KQZ si anëtar, por në mënyrë ekstra ligjore e emëroi edhe kryetar të KQZ-së. Nuk dua të sjell në vëmendje qëndrimet më standarde e shumëfishta në raport me ligjin e dekriminalizimit për atë pjesë ku përfshihet KQZ, por kryesisht për rolin e tij si vasal pa kushte në KQZ.
Në morinë e shërbimeve politike që ai i bën kryeministrit tërheqin vëmendjen dy momente thelbësore. Pak muaj më parë, kur opozita në përpjekje për të shmangur qëndrimet ‘in extremis’, sikundër jemi sot, kërkonte që në reformën zgjedhore të përfshihej, mes të tjerave, edhe identifikimi, votimi e automatikisht edhe numërimi elektronik, Biba në një intervistë do të deklaronte se kjo është e pamundur për arsye kohe. Nuk do të kishte asgjë të keqe sikur ky pohim të vinte në kuadër të dëshirës për një sistem të mirëprovuar, por nuk ishte ky qëllimi. Kjo deklaratë dëshmoi mbi dy momente që e komprometojnë rëndë sjelljen e kryetarit të KQZ-së.
E para është fakti se kryetari i KQZ duhet të flasë sa më shumë ligjërisht dhe aspak politikisht. Nga pikëpamja ligjore ai duhej të sqaronte se ligji parashikon se çdo ndryshim në Kod duhet të kryhet jo më vonë se 6 muaj nga data e zgjedhjeve dhe asgjë më shumë përtej kësaj.
Se sa kohë duhet për vënien në punë të një sistemi elektronik, këtë e dinë ekspertët e fushës dhe jo ai, e për më tepër, nëse ligjvënësit vendosin se do të kryhej kështu, çfarë do të bënte kryetari i KQZ, do të insistonte se nuk ka kohë? Kaq qesharak u bë në këto pretendime sa përfaqësuesi i PD-së në KQZ. Kosovrasti i kërkoi që të pranonte publikisht se nëse politika do të vendoste ndryshe, ai duhej të dorëhiqej.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër është se me apo pa dashje ai bëri publik, edhe pse në kundërshtim flagrant me pavarësinë institucionale që duhet të kishte, se ky ishte një vendim politik i kryesocialistit, të cilin ai po e maskonte me argumente teknike. Por, kjo nuk mjaftonte. Rruga pa krye ku është futur kryeministri kërkon vetëflijime. Duke kaluar çdo cak, në mënyrë të paprecedentë, Biba si një kamikaz i kauzës Rama lëshoi një tjetër “bombë”.
Duke marrë përsipër rolin e negociatorit, politikanit, atë të Kuvendit apo edhe shumë role të tjera, pranoi sërish të sakrifikohej për të në nivelin më të lartë. Me mendjen e “vullnetin” e tij ndryshoi Kodin Zgjedhor, kur pohoi pak ditë më parë se ishte i gatshëm t’i jepte kohë opozitës për regjistrim, deri në ditën që fillonte prodhimi i fletës së votimit. E kjo e kalon çdo limit, për një njeri që është betuar se do t’i shërbejë ligjit. Në fakt nuk i vihet shumë faj. Për aq kohë sa në këtë vend ligji është Rama, për Bibën njëlloj është…
Në çdo vend normal, pas një deklarate të tillë duhej të kishte pasuar edhe një dorëheqje, por kësi çudirash nuk ndodhin në këtë vend. Kjo deklaratë e Ramës nëpërmjet gojës së Bibës është një tentativë për të përçarë shqiptarët dhe opozitën. Në thelb tregon qartë se cili është qëndrimi real i Ramës për ligjin dhe shtetin ligjor. Këto deklarata infantile dhe të dëshpëruara e nxjerrin më shumë se kurrë zbuluar kryesocialistin, që përbetohet me “lot në sy” se nuk mund të shtyjë zgjedhjet se shkelet Kushtetuta dhe ligji. Por nuk ka dhënë asnjë shpjegim të vetëm se pse insistoi të shkelej Kushtetuta dhe ligji në vitin 2007. Përgjigjja dihet. Për Ramën, Kushtetuta dhe ligji janë elementë që duhet t’i shërbejnë verbërisht atij dhe jo principe absolute që duhen zbatuar pa ekuivok nga çdokush.
Mjafton të shtosh edhe një element tjetër që të kuptosh se cili është koncepti rilindist për Kushtetutën dhe shtetin. Këto ditë kryesocialisti, kinse në zgjidhje të krizës u tregua i gatshëm t’i jepte opozitës kryetarin e KQZ. A thua se në këtë vend kryeministri është edhe pronari i institucioneve. Por, fatkeqësisht ai vetë këtë beson e për këtë është i gatshëm jo vetëm të shkelë Kushtetutën, ligjin e gjithçka tjetër, por edhe të sakrifikojë kamikazin e devotshëm Biba, me shpresën se po i hedh hi syve opinionit publik shqiptar, ndërkombëtar dhe opozitës.
Koha e pazareve cinike ka përfunduar. Para se të zhysë vendin në konflikt të rëndë gjithinstitucional, Rama duhet të pranojë ngritjen e qeverisë teknike, si e vetmja mënyrë për të çuar vendin në zgjedhje larg duarve të krimit dhe organizatave kriminale. Kryeministri në detyrë duhet të reagojë sa më parë që këto ndryshime të kryhen në Parlament, para përfundimit të mandatit të tij, pasi edhe qeveri teknike do të ketë, edhe zgjedhjet do të shtyhen, por reagimi i shpejtë do të krijonte kushtet për shtyrjen e zgjedhjeve, të paktën deri në vjeshtë, pasi Kushtetuta përcakton qartë se më 17 maj mandatet skadojnë, afatet skadojnë dhe shqiptarët nuk kanë për t’ia falur kurrë për epokën e errët në të cilën do t’i zhysë. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Denar Biba apo çdo patericë politike brenda e jashtë PS-së, që tentojnë të kamuflohen pas Kushtetutës dhe ligjit. (E.K/SHUPLAKA)
