Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit në Kryeministri ose i njohur më shumë si Këshilltari i Edi Ramës për mediat, ka reaguar në Twitter disa minuta pas deklaratave të Presidentit Nishani se nëse Kushtetuta do ia lejonte ai nuk do ta dekretonte Fatmir Xhafajn si ministër i Brendshëm.
Fuga shkruan në Twitter: U mbars mali dhe polli lajme të rreme me stemë republike.
Kjo nuk është hera e parë që nga Kryeministria kemi të tilla reagime për Kreun e Shtetit për deklarata apo qëndrime të tij në lidhje me politikën në vend.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar pasditen e sotme një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, nisur nga situata politike në vend. Në fjalën e tij Kreu i Shtetit u ndal tek protesta e opozitës, zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Pas vendimit për largimin e 4 ministrave, kreu i Qeverisë Edi Rama, i ka dërguar në Presidencë që të hënën emrat e 4 ministrave të rinj për dekretim.
Një prej propozimeve, ai për Ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shkaktuar zhurmë, për shkak të aktivitetit të tij si jurist para viteve 1990. Opozita që prej momentit kur kryeministri Edi Rama propozoi emrin e Xhafës për Ministër të Brendshëm, nisi një fushatë të ashpër sulmesh, duke thënë se ka keqtrajtuar dhe urdhëruar burgime politike gjatë kohës kur ushtronte detyrën si prokuror në Krujë. Nisur nga kjo, opozita i ka kërkuar Presidentit Nishani të mos dekretojë Fatmir Xhafajn në postin e ministrit të Brendshëm.
Në fjalën e tij gjatë konferencës, Kreu i Shtetit theksoi se pavarësisht diskutimeve të ditëve të fundit dhe akuzave nga opozita, Kushtetuta nuk i jep atij të drejtën për të refuzuar. Nishani tha se kandidatura e Fatmir Xhafajt sipas tij është e papërshtatshme. (M.D/ Shuplaka)