Ditën e djeshme me bujë të madhe u përhap lajmi se në një fshat të Librazhdit ndodhnin fejesa në një moshë shumë të re.
Duhet thënë se ky është një fenomen mjaft shqetësues që lidhet shumë edhe me kushtet sociale dhe zhvillimin arsimor të çdo individi.
I menjëhershëm qe edhe reagimi i deputetes demokrate Bregu e cila u shpreh se kjo ishte dhe për shkak të mësimeve fetare që këta fëmijë merrnin në falijet e tyre.
‘’Irani i marton vajzat 9 vjec!
Ekuadori i marton 12 vjec!
Andorra i marton 14 vjec!
E para: Shqiperia eshte nje vend europian, laik, ku respektohen fete qe bashkejetojne me njera tjetren, por e drejta e tyre nuk eshte mbi Kushtetuten e ligjet e vendit.
E dyta: Kodi i Familjes ne Shqiperi lejon martesat ne moshen 18 vjecare.
E treta: Fondamentalizmi dhe radikalizmi i Islamit eshte per tu denuar e jo pranuar me heshtje si per te justifikuar pazotesine e institucioneve te ketij vendi per tu marre me problemet reale e per t’ i pare kercenimet qe i kemi para syve si te verteta, jo si tema fjalimesh largpamese per Gjeneraten e Re!
E katerta: Varferia ne Shqiperi, nuk eshte vetem papunesi e pamundesi ekonomike. Eshte drame pa kushte, edhe sepse ju heq te miturve te drejten e rritjes, edukimit, e daljes Zot vetes kur te jene te rritur!’’, shkruante ndër të tjera Bregu ku dukshëm fliste për ekstremizmin fetar.
Nga ana tjetër Albina Nanaj aktiviste dhe këshilltare e PDIU-së në Bashkinë e Tiranës ka dhënë një përgjigje për Bregun duke e quajtur mesazhin e saj cinik. Sipas Nanajt vetë Bregu duke qenë ligjvënëse ka pasur në dorë mundësinë për ta ndryshuar këtë fenomen.
SHKRIMI I PLOTË I ALBINA NANAJT:
Znj. Bregu është nga ato ligjvënëse e pushtetare që ka pasur në dorë shumëçka për të ndryshuar rrjedhën social-ekonomike të këtij vendi. Sot në vend që të mbajë përgjegjësi për dështimin e saj dhe klasës politike që përfaqëson e gjen shumë të thjeshtë t’ia hedhë fajin “ekstremizmit islamik”. E kam fjalën për komentin e ish-ministres Majlinda Bregu mbi kronikën e realizuar në Polis të Librazhdit ku flitej për vajza që braktisin shkollën 9-vjeçare për t’u martuar. Faktet u ngritën mbi hamendësimin e mësuesit të fshatit që niste me fjalët “Duket sikur…”.
Mësuesi me divizën e të iluminuarit gjitholog, njësoj si ata që e pasuan tezën e tij, u përpoq të jepte një arsye pse ndodhte ky fenomen. Komenti i tij dukej i shkëputur nga ndonjë tekst që fliste për kanunin dhe në këtë kontekst nuk do habitesha aspak që në zona të izoluara për shkak të injorancës e varfërisë të keqpërdorej feja, por në kushtet e mbindjeshmërisë së medias, opinionbërësve dhe publikut ndaj “ekstremizmit islamik” ngjarja merr një ngjyrim krejt tjetër. Është e pafalshme që elita intelektuale dhe politike e këtij vendi është kaq sipërfaqësore dhe cinike. Nuk duhet ndonjë njohje e mirë e terrenit për të kuptuar se është varfëria dhe mungesa e mundësive që i detyron këta prindër ta shohin martesën si të vetmen rrugëdalje për t’u larguar nga mjerimi. Po çfarë zgjodhën të bëjnë gazetarucët e portaleve dhe zonjëzat duarmëndafshta?!
Ato nuk zgjodhën qëllimisht të tregohen të kthjellët e të komentojnë shkaqet reale, por e deformuan faktin duke i fryrë akoma më shumë zjarrit të islamofobisë, që për fat të keq nuk e lufton aspak ekstremizmin, por kontribuon në thellimin e steriotipeve.
Problemi qëndron se jo të gjithë hulumtojnë për të kuptuar se këto fakte janë të ngritura mbi hamendësime dhe rrjedhimisht titujt bombastikë formojnë perceptimin e tyre mbi realitetin.
Një realitet shumë i dhimbshëm tek i cili “ekstremizmi islamik” nuk kontribuon aspak. Si besimtare praktikante pres prej komunitetit tim dhe kryesisht elitës së tij që të jemi në pararojë në zbutjen e fenomeneve negative që kanë prekur shoqërinë shqiptare.
Të tregojmë me punën tonë se ne i japim vlera shoqërisë. Kontributi ynë për sensibilizimin ndaj kauzave të ndjeshme si varfëria, arsimimi dhe emancipimi i shoqërisë është i domosdoshëm. Sigurisht që na duhet punë ekstra për të sfumuar qasjet mediatike aspak korrekte të gazetarëve që rendin pas klikimeve dhe të kujtdo që i teket të marrë vëmendje të pamerituar përmes përmendjes së islamit në konotacion negativ. (E.K/SHUPLAKA)