Kanë dalë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën në Kosovë më 11 qershor. Shumë prej politikanëve kanë arritur të marrin një numër të madh votash.
Ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake, pasi deri diku ishte i sigurt që nuk kishte dalë mirë me vota në zgjedhje.
Për dallim nga Mustafa, Vjosa Osmani, e cila ishte lënë poshtë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së, pra ishte renditur në numrin 81, ka marrë më shumë se 50 mijë vota në zgjedhjet e 11 qershorit.
Vota maksimale nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa mësohet se kanë marrë edhe ish-drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, Antoni Quni, Ilir Deda, Mimoza Kusari-Lila, Behgjet Pacolli etj.
Sipas mediave kosovare nga lista e PDK-së, përpos kryetarit Kadri Veseli, vota për t’u bërë deputet ka arritur të sigurojë edhe Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit, Ganimete Musliu, Blerta Deliu, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Zafir Berisha etj.
Ndërsa nga lista e deputetëve të “Vetëvendosjes”, përpos Albin Kurtit, besimin e elektoratit e ka fituar edhe sekretari Dardan Molliqaj, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Dardan Sejdiu. (J.V/Shuplaka)