Anëtarët e Aleancës për Teatrin Kombëtar kanë mbërritur gjatë ditës së sotme në ambientet e ministrisë së Kulturës, ku janë ndaluar që të hyjnë në oborrin e godinës, ndërsa donin që të dorëzonin një kërkesë për informacion.
Përfaqësuesit thanë se kjo është e paprecedentë, ndërsa rojet u mbyllën derën, edhe pse ata do të hynin brenda duke respektuar rregullat me vetëm dy përfaqësues.
Adriana Kalaja tha se për këtë çështje do të ketë një kallëzim në prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që në bluzat e tyre shkruhet: Teatri ku ishte dhe ashtu siç ishte.
Kjo lëvizje e Aleancës vjen pas vendimit të Gjykatës Kushetuese, për ti kthyer ministrisë së Kulturës pronësinë e truallit ku ishte i vendosur Teatri Kombëtar.
“Kërkojmë që Ministria e Kulturës të marrë përgjegjësi për Teatrin Kombëtar, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, që Ministria ka përgjegjësi për truallin e Teatrit. Ne do të bëjmë kallëzim për këtë situatë sot, në çdo institucion është e lejuar hyrja e qytetarëve“, tha Kalaja.
Ndërkohë që aktori Neritan Liçaj tha se është e papranueshme që vetë institucionet që duhet të zbatojnë ligjin e shkelin atë.
“Nuk del një përfaqësues i Ministrisë dhe dalin rojet, në një kohë kur nuk kanë të bëjnë me njerëz të armatosur, e kanë detyrë që të na presin. Unë nuk pres shumë nga ministrja me thënë të drejtën, se iu prishën dy Teatrot Kombëtare dhe nuk u ndje fare.
Për çfarë është ministrja? Sepse të shohësh një trajtim të tillë, kërkuam një përfaqësues të ministrisë dhe nuk na erdhi. Ka një logjikë, ka ca ligje, ka ca funksione ministria që duhet të zbatohen. Pse nuk më lejohet që të futem brenda? Këta nuk njohin as ligjet e shtetit të tyre. E kanë këtë të mirë, që duke qenë se nuk kanë moral, nuk kanë as turp”, u shpreh Neritan Liçaj.
Aktori i mirënjohur Medi Malkaj tha se ai sot ka marrë vesh që është ”krimineli i fundit” në Tiranë, ndërsa e ka quajtur Elva Margaritin jo ministre të kulturës por të burgut.
Pas një përplasje mes tyre, një përfaqësues i Ministrisë ka dalë te porta dhe ka thënë se përfaqësues të Aleancës do të priten në godinën e institucionit.
(E.K/Faxweb.al)