Të tjera qëndrime të kundërta mes partive në koalicionin qeverisës. Këtë herë si ‘’mollë sherri’’ ka shërbyer OMN. Misioni ndërkombëtar për Reformën në Drejytësi. Pas letrës së ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili, ku shprehej se bordi i menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit OMN është jokushtetues dhe pa mbështetje në ligj, ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko.
Majko tha se ndërkombëtarët nuk vijnë të shkelin Kushtetutën dhe se Vettingu se ka një sindikatë kushtetuese e nuk duhemi të bëhemi pjesë e saj. Deputeti i PS gjithashtu u shpreh se ndërkombëtarët nuk vijnë të shkelin Kushtetutën dhe se Vettingu se ka një sindikatë kushtetuese e nuk duhemi të bëhemi pjesë e saj.
“Tani unë nuk dua të bëhem pjesë e asnjë debati i cili mendoj që kërkon një vlerësim të natyrshëm në komunikim me misionin ndërkombëtar që do të merret me vëzhgimin e të gjithë procesit të verifikimit të përkohshëm të gjykatësve dhe prokurorëve. Dëshiroj të nënvizoj një fakt shumë të thjeshtë se ndërkombëtarët do të vijnë për të na vëzhguar ne se si do ta kryejmë procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Nuk do të jemi ne që do të vëzhgojmë ndërkombëtarët në punën e tyre.
Kështu që mendoj se duhet patur një tolerancë e natyrshme dhe komunikim po ashtu me të gjithë misionin ndërkombëtar që do të merret me këtë çështje me qëllim që gjërat të mos bëhen pjesë e një debati politik në skenën politike, pasi mendoj se vetting-u si proces e ka një sindikatë kundërshtuese. Dhe nuk besojë se ne i bëjmë mirë situatës duke u bërë pjesë e kësaj sindikate. Në këtë kuptim mendoj se gjërat më mirë do të zgjidheshin nëse do të kishte një komunikim dhe sa më pak debat lidhur me këtë çështje. Tani ligjet janë shkruar, kushtetuta flet shumë qartë, nuk kemi pse të krijojmë keqkuptime në këtë drejtim. Mendoj se nuk kanë ardhur këtu për të na shkelur kushtetutën dhe ligjet tona. Deri sa ne i kemi pranuar si pjesë e procesi dhe mendojë se nuk ka ndonjë interes që të na godasin interesat qoftë ligjore, qoftë kushtetuese, për më tepër edhe për të na krijuar probleme të natyrave politike në Shqipëri. E përsëris ata janë për të na vëzhguar proces dhe jo për të na vëzhguar ne.” tha Majko.
Letra Petrit Vasilit
Të nderuar,
Si Ministër i Drejtësisë, kam marrë dijeni nga media e shkruar për një komunikim të datës 7 Shkurt 2017, Drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga ana e znj. Genoveva Ruiz Calavera, në cilësinë e kryetares së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Për fat të keq, për këtë komunikim të rëndësishëm Ministria e Drejtësisë nuk është vënë në dijeni, edhe pse është vlerësuar si një nga aktorët e rëndësishëm në implementimin e Reformës në Sistemin e Drejtësisë.
Nga shqyrtimi i komunikimit të sipërcituar të datës 7 shkurt 2017, lindin shqetësime të rëndësishme lidhur me komunikimet zyrtare të mbajtura, dhe ligjshmërinë e procesit të ndërtimit dhe funksionimit të asaj pjese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që sipas dokumenteve të sipërcituara, është quajtur Bord i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Më lejoni t’ju risjell në vëmendje se konsensusi politik i arritur, që bëri të mundur ndryshimet kushtetuese në 21-22 Korrik 2016, kishte në frymën e tij, përcaktimin saktësisht, qoftë në aneksin e Kushtetutës, apo dhe në ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që procesi i rivlerësimit kalimtar do të mbështetej nëpërmjet monitorimit e mbikëqyrjes, përmes vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të duhet të ishin ekspertë të ligjit.
Ky vullnet konsensual është shprehur qartësisht në Kushtetutën e vendit, ku citohet se:
Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse.
Në të gjitha dispozitat, qoftë kushtetuese apo ligjore, nuk ka asnjë përcaktim mbi ngritjen e një Bordi të Menaxhimit të ONM-së.
Në komunikimin e datës 7 Shkurt 2017, janë caktuar 3 (tre) ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe 2 (dy) ekspertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Caktimi i këtyre ekspertëve është në respektim të plotë të kërkesave të Kushtetutës dhe ligjit, sa i takon procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, pasi këta do të jenë organi i ngarkuar që do të realizojnë vëzhgimin e pavarur të të gjithë procesit.
Ndërkohë që Qeveria shqiptare ka detyrimin të vërë në dispozicion të tyre gjithçka, duke filluar nga informacioni i plotë ligjor e dokumente, deri në garantimin e mjeteve logjistike.
Ndërsa më lejoni të evidentoj se, çdo parashikim tjetër sa i takon Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përbërjes, rolit të tij të paqartë në këtë proces, anëtarësisë së tij me pjesëmarrës të përhershëm dhe të përkohshëm, si dhe përfshirja brenda tij të përfaqësuesve të ambasadave respektive, nuk gjejnë mbështetje qoftë në Kushtetutë, apo dhe në ligj.
Gjithashtu, është rasti për t’ju rikujtuar që fryma e Kushtetutës dhe e ligjit, sa i takon rolit dhe përbërjes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishte tërheqja e ekspertizës më të mirë, më të besueshme, profesionale dhe teknike, që do të mund të garantojë integritetin dhe paanshmërinë e rivlerësimit kalimtar, dhe jo përfshirjen në proces të trupave/personave me përbërje politike, siç është Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si interlokutor midis ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe autoriteteve shqiptare.
Për sa më sipër, do të propozoja kthimin në rrugën e kushtetutshmërisë dhe ligjit të kësaj çështjeje, me qëllim diskutimin e problematikës së lindur me krijimin e këtij Bordi.
Ky diskutim duhet të jetë pjesë e tryezave të nivelit të lartë politik dhe parlamentar. Vetëm pas këtij diskutimi dhe vendimmarrjes pasuese mbi të, do të mund të vijohej më pas, me procesin e nisur tashmë.
Ministria e Drejtësisë gjen rastin edhe një herë të shprehë angazhimin maksimal për mbështetjen e këtij procesi, në funksion të konstituivit dhe bërjes funksionale të të gjithë mekanizmit për realizimin e rivlerësimit kalimtar të të gjithë trupës së sistemit të drejtësisë shqiptare.
Duke ju falënderuar për vëmendjen,
Ministri Petrit Vasili. (E.K/SHUPLAKA)