Premtimet për marrjen e masave paraprake për të pasur një sezon veror sa më të mirë, vit pas viti mbeten vetëm premtime. Dhe këtë mangësi më shumë se kushdo e ndjejnë administratorët e hoteleve në bregdetin e Vlorës.
Përcaktimi i plazheve për subjektet që kërkojnë t’i shfrytëzojnë si dhe përcaktimi i korridoreve të sigurisë ujore për mjetet lundruese turistike apo argëtuese edhe pse është premtuar se do të zgjidhej muaj më parë, për t’i dhënë mundësi subjekteve të bënin rregullimet e nevojshme dhe pse jo që të fillonin edhe aktivitetet pasi ditët me diell tashmë do të jenë prezente, por ende nuk ka asnjë hap konkret edhe pse aplikimet u hapen që në nëntor të vitit të kaluar.
Këto kërkesa administratorët e hoteleve i parashtruan edhe në takimin që patën me task-forcën e turizmit për qarkun e Vlorës. Por edhe pse takimet zhvillohen, marrja konkrete masave është ende larg.
Sipas operatorëve turistikë, në bregdetin e Vlorës këtë vit pritet të vijnë 30 për qind më shumë turistë se sezonin e kaluar, ndërsa marrja e masave nga autoritetet qendrore dhe lokale, nuk është në nivelin e kërkuar dhe të premtuar.