“Janë regjistruar 2100 kandidatë për zgjedhjet ndërkohë që vetëm 15 nga 66 parti politike janë regjistruar. Kemi 1 kandidat për 809 zgjedhës, nëse marrin pjesë edhe votuesit e opozitës! A ka Shqipëria kapacitete për të pasur kaq shumë kandidatë?”
Është kjo pyetje që ngre politologu Afrim Krasniqi teksa emrat e kandidatëve nëpër listat e partive kanë dalë në KQZ.
Krasniqi shkruan se në listat e dy partive të regjistruara në zgjedhjet e 18 qershorit mbiemri është në shumicën e rasteve i njëjtë.
“Janë dy parti politike, MEGA dhe PAD, e para partia e dytë e minoritetit grek në Shqipëri, e dyta partia e dytë liberale në Shqipëri. Secila ka paraqitur nga 140 deputetë, – sic shihet, – nga 15 anëtarë me një mbiemër, babai, djali, vajza, xhaxhai, nipi, mbesa dhe ca kushërinj të afërt apo të largët! Tek MEGA pesë mbiemra përbëjnë më shumë se 50% të listës së kandidatëve. Tek parti të tjera, përfshirë PSD, PKSH, AAK, ADK, gjenden një numër i madh familjarësh në listë. Dhe kështu, ja u bë lista dhe hajde tani të bëjmë parti e zgjedhje. Kështu mbahet partia, kështu bëjmë pluralizëm”,-shkruan Krasniqi.
Krasniqi shton se është ligji shqipat ai që i detyron partitë politke që të vendosin një numër të madh kandidatësh nëpër zona.
“Ligji ynë i detyron partitë të jenë fiktive, sepse u kërkon të vendosin kandidatë në shumë zona zgjedhore, edhe ku nuk kanë anëtarë. Se ligji ynë i detyron partitë e vogla të respektojnë formalisht kuotat gjinore dhe kështu të fusin në listë familjarët e tyre të gjinisë tjetër, në mënyrë që ti shpëtojnë gjobës. Me një gur vrasin katër zogj: bëjnë listën, mbajnë partinë, respektojnë kuotat dhe shfaqen si parti me shtrirje kombëtare”,-shkruan Krasniqi.
Afrim Krasniqi mendon se ka ardhur koha të mendohet për një refomim të legjislacionit mbi zgejdhjet në Shqipëri. Sepse sipas tij përndryshem partitë do të shndërrohen në parti fisesh.
“Është koha të mendojmë jo vetëm për 18 apo 19 qershorin, por të mendojmë seriozisht edhe për një reformim tërësor të legjislacionit mbi partitë dhe zgjedhjet. Partitë kanë vlerë kur janë konkurruese, kur janë të ndryshme, kur janë prezente, kur janë aktive, kur ofrojnë vlera dhe kur jetësojnë pluralizmin e ideve dhe platformave. Përndryshe, i shndërrojmë 66 partitë në 66 fise kryetarësh dhe të miqve të tyre besnikë, sic edhe në tërësi të tilla duket se janë”,-shkruan Krasniqi.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post