Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit, duke i quajtur një farsë
Ai theksoi se qëllimi madhor i shqiptarëve duhet të jetë largimi i kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se “farsa s’fitohet kurrë nga opozita”.
“Unë edhe njëherë deklaroj se këto zgjedhje kurrë nuk do njihen dhe se ata, të cilët përpiqen t’u shesin shqiptarëve krimin si sukses elektoral, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rreshtojnë veten me kartelet, me Edi Ramën dhe me të gjithë autorët e farsës më të shëmtuar elektorale të majit 2025”, tha Berisha.
Më pas shtoi: “Farsa nuk fitohet nga opozita. Atëherë ka një qëllim, që çdo qytetar shqiptar, që beson se këto zgjedhje ishin farsë dhe se farsa nuk fitohet kurrë nga opozita, të pyesë veten a është i gatshëm të sakrifikojë për votën e lirë. A është i gatshëm të angazhohet në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën e votës së lirë.
Çka nënkupton të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat për ata që besojnë se kjo është një farsë. Për ata që besojnë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe natyrisht largimi i Edi Ramës duhet të jetë qëllimi më madhor i shqiptarëve… …Farsa nuk fitohet kurrë nga opozita.
Ka dy rrugë. Ka një rrugë, bojkoti i zgjedhjeve. Në qoftë se ju lexoni rezolutën e 30 prillit, të votuar nga 82 parti politike të qendrës së djathtë të Europës, parti që qeverisin Europën sot, aty është e qartë se 11 Maji do jetë një farsë, sepse Edi Rama gjatë fushatës po blinte vota me lekë, po blinte vota me kanabis, po blinte vota me prokurime, po blinte vota me punësime. Dhe se drejtësia e kapur nga Edi Rama nuk qëndronte ndaj gjithë këtyre krimeve.
Përveç kësaj, u zhvillua një hearing në Parlamentin Europian i të gjithë spektrit politik të parlamentit. Dhe në këtë hearing, zgjedhjet u quajtën një emergjencë. Tani, në qoftë se ishim para dy rrugëve, pjesëmarrje ose mospjesëmarrje. Në qoftë se nuk merr pjesë, do zgjedhësh rrugën e dhunës ose rrugën e shuarjes. Ose do pranosh se këtu nuk do merrem më me politikë, ose do merrem dhe do përdor forcën ndaj kësaj qeverie që të merr liritë.
Është njëra rrugë. Rruga tjetër është rruga që ndjekim ne. Rruga në të cilin ne marrim pjesë në proces, paraqesim të gjitha dokumentet e vërteta që ishte farsë dhe ftojmë shqiptarët të luftojnë për votën e tyre. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta ka një mbështetje ndërkombëtare. E para mund ta krijojë, por fillimisht nuk ka. E dyta po, ja ku janë raporti, ja ku janë rezolutat. Është pra një betejë e vështirë, por jo e pashpresë.”