Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, i ka rekomanduar partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.
Deklarata e ministrit të Jashtëm grek është bërë në parlament, në përgjigje të kërkesës për interpelancë, që kishte bërë deputeti i opozitës, Vasilis Kikilias. Tema e interpelancës ka qenë përsëri e lidhur me negociatat që Greqia po zhvillon me Shqipërinë për rishikimin e Paktit Detar.
Deputeti i krahut politik konservator e ka pyetur Kotziasin nwse në përllogaritjen e re të ujërave territoriale do të garantohet influenca e ishujve Diapontianë –(kompleksi i ishujve të vegjël në veri perëndim të Korfuzit), si dhe nëse “shelfi kontinental me Shqipërinë do të ketë të njëjtën vlefshmëri që ka dhe me Italinë, i delimituar që nga viti 1977”.
Kikilias e argumenton kërkesën për interpelancë me, siç thotë ai, shqetësimin që kanë krijuar te populli grek lajmet e publikuara në mediat e Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes strategjike për kufirin detar.
Ministri i jashtëm grek, nuk është ndalur në detaje teknike. Por pasi ka thënë se termi “ishuj Diapontianë” nuk gjendet askund në bibliografinë për të drejtën e detit dhe marrëdhëniet ndërkombëtar, Kotzias i ka rekomanduar deputetit të opozitës që ta riformulojë pyetjen.
“Këtu po bëjmë kontroll parlamentar dhe jo biseda kafeneje” – mësohet t’i ketë thënë Kotzias.
Ministri i jashtëm grek ka kërkuar nga partia më e madhe opozitare të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.
“Politika e jashtme do të duhet të ushtrohet me kthjelltësi, përgjegjshmëri, seriozitet dhe efikasitet, dhe jo për hatër të marketingut të brendshëm politik”, ka theksuar ministri i jashtëm grek.
Discussion about this post