Kina dëboi një diplomat nga konsullata e Kanadasë në Shangai të martën në shenjë hakmarrjeje ndaj Kanadasë që dëboi një diplomat kinez një ditë më parë.
Ministria e Jashtme kineze tha se diplomates kanadeze Jennifer Lynn Lalonde i ishte kërkuar të largohej nga vendi deri më 13 maj në atë që e përshkroi si një “kundërmasë reciproke ndaj lëvizjes së paskrupullt të Kanadasë”.
Kjo vjen pasi Kanadaja njoftoi të hënën se do të dëbojë një diplomat nga konsullata kineze në Toronto për ndërhyrje në çështjet demokratike të vendit.
“Kanadaja ka vendosur të shpallë persona non grata z. Zhao Wei,” tha në një deklaratë Ministrja e Jashtme e Kanadasë Melanie Joly.
“Unë kam qenë i qartë: ne nuk do të tolerojmë asnjë formë të ndërhyrjes së huaj në punët tona të brendshme. Diplomatët në Kanada janë paralajmëruar se nëse përfshihen në këtë lloj sjelljeje, ata do të dërgohen në shtëpi,” tha ajo në deklaratë, duke shtuar se vendimi për dëbimin e diplomatit është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm.
Incidenti ndodhi pasi gazeta The Globe and Mail raportoi javën e kaluar se Kina kishte në shënjestër ligjvënësit kanadez Michael Chong dhe familjen e tij në Hong Kong pasi ai nënshkroi një mocion parlamentar që dënonte trajtimin e muslimanëve ujgurë nga Pekini si gjenocid. Raporti citoi një dokument top-sekret nga viti 2021.
Zhao ishte i përfshirë në këtë frikësim, sipas raportit. Një person i njohur me këtë çështje i tha agjencisë së lajmeve AFP se Zhao kishte pesë ditë për t’u larguar nga vendi.
Canada has decided to declare persona non grata, Mr. Zhao Wei. pic.twitter.com/rZXeNTtdV4
— Mélanie Joly (@melaniejoly) May 8, 2023