Kina tha sot se është “jashtëzakonisht e pamundur” që virusi që shkaktoi pandeminë Covid-19 të ketë ardhur nga një laborator kinez, pasi CIA vlerësoi se kishte “më shumë gjasa” që koronavirusi i ri të mos e kishte origjinën në natyrë.
“Përfundimi shkencor (…), i arritur nga ekipi i përbashkët i ekspertëve nga Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bazuar në vizitat në terren në laboratorët përkatës në Wuhan, konsiderohet jashtëzakonisht e pamundur që të ketë pasur një rrjedhje.” tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze.
“Kjo u njoh gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe shkencor,” theksoi Mao.
Të shtunën, një zëdhënës i CIA-s njoftoi se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së ka arritur në përfundimin se ka “më shumë gjasa” që pandemia e Covid-19 të ketë origjinën në një laborator dhe jo në natyrë.
CIA ka treguar prej vitesh se nuk mund të përcaktojë nëse pandemia e Covid-19 shpërtheu pas një rrjedhjeje në një laborator apo nëse ajo erdhi nga natyra.
Në javët e fundit të administratës së ish-presidentit amerikan Joe Biden, ish-drejtori i CIA-s, William Burns, u kërkoi analistëve dhe shkencëtarëve të agjencisë të arrinin në një përfundim të qartë, duke nënvizuar rëndësinë historike të pandemisë, sipas një zyrtari amerikan.
Megjithatë, CIA shtoi se ka “besim të ulët” në përfundimin e saj se “covid-19 ka më shumë gjasa të ketë origjinën në një laborator” dhe theksoi në deklaratën e saj se të dy skenarët — një rrjedhje ose një origjinë natyrore — janë ende të arsyeshme.
Nuk është e qartë se deri në çfarë mase agjencia ka mbledhur informacione të reja në lidhje me origjinën e Covid-19, ose nëse ka përdorur prova të reja për të arritur në këtë përfundim.
Në një intervistë me rrjetin Breitbart, pasi emërimi i tij u konfirmua nga Senati të Premten, drejtori i ri i CIA-s John Ratcliffe tha se një nga prioritetet e tij të para do të ishte t’i kërkonte agjencisë të vendoste mbi origjinën e pandemisë.
“Është një çështje e ditës për mua”, theksoi ai. “Unë e kam deklaruar publikisht, siç e dini, se Inteligjenca jonë, shkenca jonë dhe sensi ynë i shëndoshë thonë se Covid erdhi nga një rrjedhje në Institutin e Virologjisë në Wuhan”.
Qeveria kineze, nga ana e saj, thekson se mbështet dhe ka marrë pjesë në hetimet për përcaktimin e origjinës së Covid-19, ndërsa ka akuzuar Uashingtonin për politizimin e çështjes, kryesisht për shkak të përpjekjeve të shërbimeve inteligjente amerikane për të hetuar këtë çështje.
“SHBA duhet të ndalojë politizimin dhe instrumentalizimin e çështjes së hetimit të origjinës (e pandemisë), si dhe të ndalojë së njollosur dhe fajësuar vendet e tjera,” përsëriti sot Mao Ning.
Autoritetet amerikane duhet t’u përgjigjen sa më shpejt shqetësimeve legjitime të komunitetit ndërkombëtar dhe të ndajnë me OBSH-në të dhënat e tyre për rastet e para të dyshuara, vlerësoi ajo.