Pikat turistike në tërë Kinën po rihapen gradualisht, teksa numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit është në rënie, edhe pse lufta nuk është fituar plotësisht.
“Disneyland” i Shangait rihapi të hënën disa nga hotelet, restorantet dhe dyqanet e tij, por parku tematik vijon të jetë ende i mbyllur, njoftoi media shtetërore kineze.
Në qytetin Hangzhou, 40 % e pikave turistike janë rihapur për vizitorët, njoftoi CRI. Nënkryetari i Shoqatës së Pikave Turistike të Kinës Ma Shuqi e ka nxitur sektorin kinez të turizmit të rritë shitjet në internet gjatë epidemisë së koronavirusit të ri:
“Duhet të përmirësojmë shitjen e biletave dhe të produkteve turistike në internet. Do të forcojmë zhvillimin e produkteve të shërbimeve turistike në internet.”
Agjencia më e madhe turistike në internet e Kinës, “Trip”, nisi javën e kaluar planin “Rigjallërimi i udhëtimeve 2020”, duke nxjerrë produktet e parashitjes, që synojnë inkurajimin e klientëve të prenotojnë udhëtime paraprakisht.
Presidenti kinez Xi Jinping shkoi menjëherë për inspektim në spitalin “Huoshenshan” pasi mbërriti të martën në Wuhan, epiqendra e shpërthimit të COVID-19. Xi Jinping u njoh me funksionimin e spitalit, trajtimin e pacientëve, mbrojtjen e punonjësve mjekësorë dhe kërkimet shkencore atje.
Ai vizitoi gjithashtu pacientët që po trajtohen në këtë spital dhe takoi punonjësit mjekësorë që po luftojnë epideminë në vijën e parë, duke i inkurajuar ata të kenë besim në mposhtjen e epidemisë. “Huoshenshan” është një spital me 1000 shtretër, i ndërtuar për vetëm 10 ditë për trajtimin e pacientëve të COVID-19, vuri në dukje gazetari Çang Çuo i CRI.