Është zbardhur dëshmia e Bardhyl Tushës, shqiptari që u vra në burgun e Koridhalos në Greqi.
Sipas autopsisë ai është mbytur në qelinë e tij, e ndërkohë që burgu grek është shprehur se Tusha gjeti vdekjen për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike.
“Kisha frikë sepse më vendosën në të njëjtin sektor dhe në të njëjtën dhomë ku ishin M. dhe K. (emrat e drejtuesve të “Mafias së burgut” të Koridhalos). Nuk i njihja, por kur policia më kërkoi që t’i përshkruaja u tregova fotot e tyre. Isha në të njëjtën dhomë me ta dhe kisha frikë në çfarë do të përfshihesha”.
Kjo është një pjesë nga dëshmia e Bardhyl Tushës 34 vjeç (ose Bandiol Tusha identiteti i ndryshuar), i cili kishte dhënë për hetuesit grekë lidhur me ekzekutimin e avokatit Zafeiropoulos në Tetor 2017 para se të vritej në qeli më 27 Janar 2019, raporton tv Klan.
Sipas mediave greke, kreu i “Mafias së burgut” të Koridhalos, shqiptari Klodian Lekocaj, kishte tentuar ta atribuonte vdekjen e 34-vjeçarit shqiptar për shkak të helmimit. Madje, ai kishte kërkuar edhe komunikim me gazetarët që çështjen ta bënte mediatike për të zhvendosur vëmendjen.
Disa ditë para vrasjes së Bardhyl Tushës, më 14 Janar në burgun e Koridhalos ishte vrarë Arbër Bako, edhe ky pjesë e organizatës së Klodian Lekocaj, dhe sipas mediave greke, policia zbuloi se urdhrin për ekzekutimin e Bakos e kishte dhënë pikërisht Lekocaj.