Kisha katolike këtë vit ka thyer traditën duke mos e organizuar më pritjen e fundvitit me politikanët, ambasadorët dhe figurat publike.
Në vend të kësaj kisha ka vendosur të organizojë një drekë për të varfrit në ambientet e Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës.
“Festat e fundvitit janë gjithmone një motiv gëzimi për ne të gjithë. Për ne të krishterët, Krishtlindja është festa në të cilën ne kremtojmë hyrjen e Hyjit në historinë e jetës njerëzore me brishtësinë e një fëmije. Në këtë kuptim Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë. Është ky motivi pse Arkidioqeza e Tiranë – Durrësit ka vendosur që, në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfërit në ambientet e Arqipeshkëvisë Tiranë – Durrës. Kjo do të thotë që këtë vit nuk do të ketë pritje zytare si çdo vit tjetër ditën e Krishtlindjes. Shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve për këtë vendim.”, shkruhet në njoftimin e Kishës Katolike.
Më pas në njoftim shtohet se meshët kryesore për kremtimin e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit, do të jenë njëra me datë 24 dhjetor në orën 24.00 dhe tjetra me datë 25 në orën 11.00.
Discussion about this post