Kreu i Prokurorisë së Sarandës Edison Ademi është shkarkuar sot nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me arsyetimin se ai nuk kishte aftësitë e duhura profesionale, si dhe kishte probleme me deklarimin e pasurisë.
Mirëpo vendimi për shkarkimin nuk është pritur aspak mirë nga vetë Ademi, i cili ka replikuar ashpër me trupën gjykuese, dhe duke kërcënuar se cështja do të shkonte më tej.
“Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish bashkë. Po nuk të futa në burg, mbaje mend”, mësohet të jetë shprehur i irrituar Ademi.
Problemet më të mëdha të Ademit lidheshin me disa komunikime që ai kishte pasur me një persona që ka qenë nën hetim për trafik droge dhe armbëmbajtje pa leje.
Po ashtu ai kishte udhëtuar me makinën e një trafikanti droge drejt Kosovës gjatë vitit 2014, çka u pa e papërshtatshme nga ana e KPK-së.
Duke qenë se ishte në pritje të këtij vendimi, Ademi ka shkruar dje dhe një sqarim publik, lidhur me pretendimet e KPK-së.
”Të nderuar bashkëqytetarë, në veçanti të qytetit tim të lindjes Vlorës ku kam punuar për rreth 17 vite! Pasi jam njohur me tituj të mediave në lidhje me seancën time dëgjimore në përfundim të hetimit administrativ, duke ndjerë detyrën time qytetare të sqaroj opinionin publik dua t ju siguroj: Pretendimet në lidhje me lëvizje apo kontakte të miat me persona të dyshimtë nuk janë aspak të vërteta dhe për këtë fakt kam sqaruar gjerësisht dhe me prova bindëse Komisionin e Pavaruar të Kualifikimit në seancë dëgjimore.
Këto pretendime tërësisht të pavërteta janë injektuar në mënyrë tinzare me kontributin e personave të dënuar dhe narkomanë, apo dhe të tjerë që i kanë ndihmuar, për të dëmtuar qëllimisht imazhin tim në kuadrin e këtij procesi. Ju falenderoj që praktikisht e keni thënë apo transmetuar tashmë dukshëm opinionin tuaj për mua!
Ju garantoj se ashtu si dhe më parë për këta persona, të cilëve nuk u ka shërbyer dënimi për t u rehabilituar dhe rikthyer me dinjitet në shoqëri, por vazhdojnë të jenë në të njëjtën rrugë të paligjshmërisë dhe krimit, madje tentojnë dhe të më njollosin pa të drejtë, por dhe për ata që i ndihmojnë, do të bëj përpjekjet maksimale që të marrin përgjigjen ligjore të merituar.
Duke ju falenderuar dhe njëherë për besimin tuaj tek unë dhe kontributin që në mënyrë publike keni dhënë për personin tim në këtë proces, Ju garantoj se unë do vazhdoj të jem ai që ju njihni prej dy dekadash dhe nuk do të lëkundem përpara asnjë lloj paligjshmërie!
Në lidhje me konstatimet e ILDKPKI ju bëj me dije se jo vetëm që nuk janë reale, por raporti i tyre është në kundërshtim flagrant me ligjet e Republikës së Shqipërisë, por dhe është paraqitur tej afateve ligjore, fakt për të cilin ata nuk kanë patur as kurajon të japin sqarimet e arsyes se kësaj sjelljeje”.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post