Autoritetet italiane kanë arritur të vënë në pranga një 23-vjeçar shqiptar, i cili kishte pak muaj që kishte mbërritur në Terni.
Sipas medieve vendase, shqiptari kishte marrë një shtëpi me qira së bashku me një vajzë, ndonëse ky ishte i papunë.
Dyshimet lidhur me të riun shqiptar janë ngritur nga banorët e zonës, sipas të cilëve pranë shtëpisë së tij ndalonin persona të ndryshëm të veshur mirë, të cilët qëndronin vetëm pak minuta e më tej largoheshin.
Pas ndalimit të njërit prej këtyre “klientëve”, i cili konfirmoi se sapo kishte blerë drogën, agjentët ndaluan të riun në pragun e shtëpisë dhe e kontrolluan atë.
Policia arriti të zbulojë se ‘tregtari’ ishte shqiptari, i cili ishte edhe pa letra ndërsa kishte kryer edhe vepra të tjera penale.
Atij ju gjetën 4 doza kokainë. Në shtëpi, agjentët kanë gjetur 26 doza të tjera kokainë në tryezë në dhomën e ngrënies dhe një sasi prej 50 gram në tarracë. Gjithashtu, u gjetën edhe doza hashashi. Shqiptarit të papunë ju gjetën edhe 1700 euro, të gjitha kartëmonedha 50-she si dhe një peshore elektronike dhe materiale për paketimin e drogës.
Ndaj shqiptarit është caktuar masa e sigurës arrest me burg deri më 22 shkurt, kur do të jepet vendimi përfundimtar i dënimit.