Para se të shqyrtojmë shkaqet e sterilitetit tek meshkujt, më parë duhet të dimë çfarë kuptohet me këtë term. Shpesh herë përdoren termat sterilitet dhe infetilitet si sinonime, që në fakt nuk janë të tilla.
Steriliteti është paaftësia biologjike e një burri apo e një gruaje, për të realizuar arritjen e një shtatzanije.
Infertiliteti, në fakt është paaftësia e një gruaje për të finalizuar lindjen e një fëmije, pra për të çuar deri në fund një shtatzani.
Një çift konsiderohet steril kur nuk ka arritur të realizojë një shtatzani edhe pas një viti raportesh seksuale të pa mbrojtura, apo për gratë pas moshës 34 vjeçare.
Një çift normal, rreth 25 vjeç, me raporte seksuale të rregullta, ka një mundësi të madhe për të ngjizur një shtatzani, në cilindo muaj të vitit.
Shumë burra, mund të jenë prej kohësh sterilë, pa qenë të vetëdijshëm për këte fakt, gjë që e kuptojnë vetëm pas jetës bashkëshortore.
Shkaqet e sterilitetit mashkullor janë të shumta, si përshembull inflamacionet e vijave genito – urinare të trajtuara keq, patologjitë e prostatës, traumat e kaluara, patologjitë genetike të kromozomeve,trajtimet me kimioterapi, radioterapi, abuzimet me pijet alkoolike, me duhan dhe me droga, etj.
Pacienti me një çrregullim të tillë, duhet të drejtohet sa më shpejt për një vizitë uro-andrologjike. Qëllimi i këtij shkrimi nga dr. Dr. Viktor Qereshniku nuk është analiza e të gjitha shkaqeve, që mund të çojnë në sterilitet, por të vemë në dukje një nga shkaqet, fatkeqësisht jo të rralla, i cili mund të parandalohet që në moshë të herëshme, apo edhe të kurohet me sukses, kur nuk ka dhënë akoma ndryshime ireversibile (të pa rikthyeshme) VARIKOCELËN.
Varikocela prek rreth 15% te djemve nga mosha 15 deri 25 vjeç. Varikocela, në rreth 90% të rasteve, lokalizohet në anën e majtë, 8% në të dy anët dhe 2% vetëm nga e djathta. Shumë rrallë shfaqet varikocela në moshë të rritur .
Në shkencën mjekësore, flitet shumë për parandalimin, apo më mirë, për diagnozën e hershme dhe, që në fakt, për fëmijët e lindur të seksit mashkull bëhet shumë pak, për të diagnostikuar në kohë një patologji të thjeshtë, që mund t!i bëjë ata sterilë në moshën e rritur, ndoshta sepse bëhet fjalë për organe intime, apo sepse nuk kanë raport konfidencial me babanë. Gjithashtu fëmijët meshkuj, nuk dërgohen të konsultohen tek asnjë specialist urolog, ndoshta sepse është krijuar ideja që specialisti urolog konsiderohet ” si mjek i burrave të moshuar” !
Në moshën e pubertetit, testikujt pësojnë një rritje të shpejtë dhe gjaku, që shkon drejt tyre është ne sasi më të madhe, por nëse valvulat e venave nuk arrijnë ta rikthejnë të gjithë gjakun e ardhur në testikuj, krijohen kushte, që një pjesë e gjakut të mbetet në zonën skrotale, duke krijuar zgjerime varikoze në zonën skrotale, pra krijohet varikocela. Mund te shfaqet tek dy testikujt, por vlen të theksohet se në përqindjen më të madhe prek pjesën e majtë të skrotumit, sepse në këte pjesë ka një fluks gjaku më të madh.
TRAJTIMI
Trajtimi i sterilitetit mashkullor mund të jetë kirurgjikal, ose konservativ. Trajtimi konservativ, bazohet në përdorimin e antibiotikëve, antinflamatorëve, hormoneve, apo të përdorimit edhe të antioksidantëve, të cilët shtojnë sasinë e spermës në subjekte që kanë një ejakulacion të dobët. Nuk duhet të harrojmë që, shpesh herë, ankthi, stresi psikologjik, influencon në efektet e terapisë.
Kurimi i sterilitetit mashkullor ka si qëllim, që të përmirësojë spermatogenezën dhe cilësinë e spermës. Për personat, që vuajnë nga varikocela, aktualisht ka dy taktika të trajtimit: trajtim kirurgjikal, i cili konsiston në eliminimin e varikocelës me një prerje të vogël mbi zonën inguinale, të lokalizojë venën testikulare të zgjeruar dhe të realizojë lidhjen e saj, duke ruajtur elementet anatomikë, që janë në afërsi të saj. Dr. Viktor Qereshniku.
(F.M/Faxweb)