Për të katërtën ditë me radhë banorët e zonës së Laprakës në Tiranë kanë protestuar kundër fabrikës së kullave Edil-Centro, që sipas tyre ndot ajrin për shkak të emetimit të gazrave të rënda.
Sipas banorëve fabrika prej 6 vitesh vijon aktivitetin e saj pa leje mjedisore, ndërkohë që herpashere është gjobitur nga Inspektoriati i Mjedisit për ndotjen e shkaktuar. Nga kjo fabrikë sipas vetë banorëve preken rreth 10 mijë qytetarë që jetojnë në zonën përrreth, ndërsa shtojnë se në çdo familje ka të paktën 1 person të sëmurë nga rrugët e frymëmarrjes.
Në mënyrë simbolike ata janë ulur sot përpara shkallëve të kompanisë, duke paralajmëruar dhe një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative, si dhe përshkallëzimin e protestave.
Ajo që e bën dhe më të vështirë situatën në këtë zonë, është konflikti i interesit që kanë disa prej banorëve, pasi një pjesë e tyre janë punonjës në këtë fabrikë dhe sigurojnë aty të ardhurat për të jetuar.
“Njëra dorë na jep bukën, dhe tjetra na jep helmin”, shprehen një pjesë e banorëve.
Një tjetër qytetar tregon se emetimi më i madh i gazrave të dëmshëm ndodh gjatë orëve të natës, ndërsa shton se përbën rrezik dhe për pacientët e spitalit Ushatarak si dhe për shkollën 9-vjeçare të Paskuqanit.
“Çfarë efekti të dëmshëm u shkakton pacientëve të spitalit ushatarak një fabrikë që ndodhet vetëm 300 metra larg tyre. Ata pacientë do të përkeqësohen, është e paprecedentë dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend në botë. Në anën tjetër ndodhet një shkollë 9-vjeçare në Paskuqan, në vijë ajrore gazrat që shkarkon kjo fabrikë dëmtojnë një numër shumë të madh njerëzish.
Unë e konsideroj absurde që një zonë industriale të vendoset në një zonë të tillë ku ndodhet shkolla dhe spitali. Emetimi i gazrave të dëmshëm emetohet kryesisht gjatë orëve të natës, çka tregon dhe njëherë tjetër për këtë aktivitet të jashtëligjshëm”, shprehet një prej banorëve.
Mes banorëve ka pasur dhe nga ata që kanë paralajmëruar vetëgjyqësi, sa kohë që shteti ka mbetur në dorën e platformës ”shqipëriaqëduam.al. “.
“Si nuk del një përfaqësues i kësaj firme që të na takojë, takimi i fundit me ta ka qenë në datën 20 Gusht. Ne nuk do dalim te Shqipëria.al që thotë Edi Rama, ka pasur media të pranishme, ne do të na detyrojnë që të hyjmë brenda, këtë iu them dhe përfaqësuesve të rendit, që ta çojnë zerin te shefat e tyre, se këtu o do qëndrojmë ne, o do të qëndrojë kjo fabrikë”, shprehet një tjetër qytetar.
Të shumtë janë ata që e konsiderojnë helmimin nga gazi një vrasje të heshtur…
“As në një kolaudim makine nuk e kalon kaq lehtë, ndërkohë që oxhaku këtu ka 6 vite që vepron pa leje mjedisore. Kjo është vrasje, vrasje, se vrasjet nuk bëhen vetëm me armë, po bëhen edhe me vrasje të heshtura si kjo që po na bëhet ne”, është një tjetër deklarim i banorëve.
Banorët thonë se ata kanë nisur kontaktet me zyrat e avokatisë, në mënyrë që të mbështeten dhe në konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
“I lutem shtetit që të vejë dorën në zemër, sa herë që vijnë na kërkojnë votat thonë se do ta ndërpresin aktivitetin e kësaj fabrike dhe nuk e kanë bërë”, tregon një tjetër banor.
Kur ka nisur aktivitetin kompania:
Kompania Edil-Centro shfrytëzon prej vitit 1996 ish-fabrikën që në kohën e komunizmit prodhonte beton. Ajo ndodhet 500 metra pas Spitalit Universitar të Traumës (ish-spitali Ushtarak) në Tiranë.
Sipas një drafti të vitit 2016 të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dorëzuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), fabrika prodhon 9 lloje të ndryshme tullash muri dhe solete.
Furrat e fabrikës punojnë me qymur dhe solar. Tymrat aspirohen dhe nxirren jashtë oxhakut por në këtë draft kompania thotë se nxjerrjet e gazrave “janë brenda normave të lejuara” duke e cilësuar si masë për eliminimin e ndikimeve në mjedis “kontrollin periodik dhe kolaudimin e mjeteve”.
Në draftin e paraqitur AKM-ës, flitet gjithashtu për “rehabilitim” dhe “krijimin e mjedisit të përshtatshëm për mbjellje të mëtejshme pemësh dhe lulesh”, të cilat janë vendosur vetëm në mjediset e administratës dhe jo përreth fabrikës.
Zona në fjalë ndodhet pranë Lumit të Tiranës dhe konsiderohet si një nga zonat më të ndotura urbane të kryeqytetit.
(E.K/Faxweb.al)