Vite më parë as që nuk mendohej që shqiptarët do të arrinin të korrnin sukses në një vend të huaj. Por ja që edhe ëndrrat me punë dhe përkushtim bëhen realitet.
Reth 25 vjet më parë, qindra familje shqiptare emigruan nga Kosova për në Suedi për t’i shpëtuar represionit serb dhe ishin të paktë ata që besonin se fëmijët e tyre do të integroheshin aq shpejt në jetën e këtij vendi dhe pak e nga pak do të kapnin majat e karrierrës në të.
Njëra prej tyre që ka shkëlqyer së fundi, është Dëshira Vrajolli Flankor, e cila është zgjedhur kryetare e bashkisë Varmdo, një nga njësitë administrative të qarkut të Stockholmit shkruan infoshqip.al.
Dëshira ka studiuar për ekonomi në Suedi, ndërsa prej shumë vitesh ajo ka drejtuar departamentin e ndërtimtarisë të administratës lokale si përfaqësuese e Partisë Moderatore.
Në një njoftim publik që ka bërë pas zgjedhjes së saj në këtë post të lartë, zonja Dëshira Vrajolli Flankor, u shpreh: “Miq, brenda dhe jashtë partisë! Me përulje të plotë dhe nga thellësia e zemrës, ju falënderoj për besimin në postin e kryetares të komunës së Vermdës. Sonte morëm konfirmimin se komuna e Vermdës ka një grup të politikanëve kurrizdrejt, të cilët besojnë në demokraci”.
Zgjedhja e saj në këtë post është pritur me shumë entuziazëm nga shqiptarët që punojnë e jetojnë në Suedi. Ata e kanë mirëpritur atë për këtë post dhe kanë shprehur vlerësimin e tyre për Dëshirën si dhe krenarinë që një shqiptare dhe për më tepër që një grua arrin një përfaqësim kaq të lartë në politikën e vendit skandinav.(J.V/Shuplaka)