Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e ftuar në A1 Report është shprehur se opozita duhet pritur duke i dhënë një shans tjetër për të hyrë në zgjedhje.
“Në radhe të parë është e rëndësishme që duhet t’i jepet shansi opozitës për tu pranuar në zgjedhje, në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet pa opozitën do vinin në pikëpytje demokracinë. Frika ime e madhe është legjitimiteti i institucioneve nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje. Kontaktet me europianët kanë qenë të shpeshta, është në interesin tone që të tregohemi te matur dhe këtë përvoje që kanë politikanët tanë ta përdorin për të mirën e vendit. Topi është në anën tonë, duhet të tregohemi të matur dhe të vazhdojmë rrugën e integrimit. Partnerët tanë strategjikë janë seriozë, këshillat e tyre duhen vlerësuar, ata kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe kjo na ndihmon shumë ne, në nëntor ne mund të kemi një shans të dytë pas raportit të OSBE-së”,-u shpreh Gjosha.
“ Opozita duhet të pritet deri në fund, duhet t’i jepen shanset që të bëhet pjesë e procesit. Për sa i përket protestës, unë uroj që protesta të jetë e qetë, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm, kemi përpara dhe reformën në drejtësi e cila është kyçe në rrugën tonë integruese, duhet të zhbllokohet sa më parë, në nëntor Bashkimi Europian mund të na japë një shans të dytë por duhet të presim raportin e OSBE-së. Partnerët tanë janë seriozë, duhet të dëgjojmë këshillat e tyre, ata kanë eksperiencë dhe kjo na ndihmon shumë”,-tha ndër të tjera Gjosha.
Klajda Gjosha u pyet edhe për deklaratën e fundit të Mogherinit, e cila u shpreh se pas daljes së Britanisë nga Europa, Ballkani duhet të integrohet brenda saj. Ministrja e Integrimit tha se Ballkani ka rëndësi strategjike.
“Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në nga ana strategjike, madje nga ana gjeografike është Europë”.
Qëndrimi i Gjoshës i përmbahet linjës së LSI-së, e cila vazhdimisht mbetet e hapur deri në fund për dialog me opozitën. (B.H/Shuplaka)