Zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, ka reaguar një ditë pas letrës së kryeparlamentarit Meta drejtuar presidentit Nishani për të mbledhur Këshillin e Sigurisë për çështjen “Balili”.
Në një analizë të neneve kushtetuese, zv/ministri i Partisë Socialiste shprehet për “GSH” se kërkesa për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, si organ këshillimor i Presidentit të Republikës, bie ndesh me Kushtetutën në këtë rast.
Sipas Isarajt, në asnjë nga nenet kushtetuese nuk citohet se “Kryetari i Shtetit” “në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese si dhe nxjerrjen e dekreteve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rendin dhe sigurinë publike e juridike, (falja e dënimit penal apo dhënia e shtetësisë shqiptare), me mbrojtjen dhe ruajtjen e territorit (lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare), me ruajtjen e unitetit të popullit (dhënia e dekoratave e titujve të nderit) etj., të këshillohet me Këshillin e Sigurimit Kombëtar”.
Referuar neneve të Kushtetutës, ai ngre këto pyetje:
- Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe e Komandantit të Përgjithshëm të tyre në luftën kundër trafikut dhe trafikantëve të drogës?
2. Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Financave, ministrit të Transportit, apo atij të Energjisë për mosarrestimin apo ndalimin e trafikantëve të drogës?
3. Cila është detyra dhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për mosarrestimin apo ndalimin e trafikantit të drogës Kelment Balili?
4. A ka qenë trafikanti i drogës, Kelment Balili, pjesëtar i Forcave të Armatosura dhe pse Policia Ushtarake në zbatim të ligjit nuk e ka arrestuar në flagrancë, apo ndaluar pas aktit të prokurorit e vendimit të gjykatësit? Në Shqipërinë republikë parlamentare, sipas Kushtetutës dhe ligjit, institucionet ligjzbatuese kontrollohen, raportojnë e japin llogari vetëm përpara atyre që e përfaqësojnë direkt popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues, deputetëve të Kuvendit. Shqetësimin se përse institucionet ligjzbatuese nuk arrestojnë apo ndalojnë trafikantët e drogës mund ta zgjidhnin sipas Kushtetutës dhe ligjit, vetëm komisionet kuvendore të përhershme apo të posaçme dhe jo këshillat e këshilltarëve të Komandantit të Forcave të Armatosura.
(XH.A/SHUPLAKA)