Këshilli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori 6 zyrtarë të lartë. Të gjithë këta zyrtarë janë të Komisionit të Vlerësimit të Pronave.
Ata i kanë shkaktuar një dëm shumë të lartë me vlerë miliona lekëshe. Ky kallëzim është bërë për favorizime të operatorëve në procedurat e prokurimit.
Dëmi i shkaktuar nga këta punonjës kap shifrën e 58.9 milionë lekësh. Gjatë auditimit në Bashkinë e Devollit nga KLSH-ja u rezultuan edhe këto shkelje.
NJOFTIMI I KLSH:
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 732/1 prot, datë 08.7.2016, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Devoll dhe 4 Njësi Administrative, ish-Komunat Qendër Bilisht, Miras, Progër dhe Hoçisht, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën 01.07.2013-30.06.2016”.
Me Vendimin nr. 148, datë 19.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr.732/10, datë 19.12.2016, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Devoll masa me karakter organizativ dhe masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 58,9 milion lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me vlerësimin e ofertave ekonomike dhe konkretisht:
-Për investimin “Rehabilitimi i rrugës Cangoj, viti 2013”, ish-Komuna Progër
Nga KVO është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) me ofertë më të lartë duke skualifikuar pa të drejtë ofertën ekonomike më të ulët, ku nga diferenca e ofertës ekonomike më të ulët, e skualifikuar pa të drejtë, me ofertën e shpallur fituese të tenderit, është shkaktuar për pasojë dëm ekonomik në vlerën prej 5,7 milionë lekë.
Skualifikimi i operatorit me ofertë më të ulët është bërë me argumentin se “Nuk përmbush kriteret pasi makineritë katerpilar dhe asfaltoshtruesja, nuk kanë dokumentacionin e kërkuar nga autoriteti kontraktor në DST”, në fakt sipas dokumentacionit të ngarkuar në sistemin elektronik nga OE i skualifikuar, rezulton se ka përmbushur kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, duke bërë që argumentimi i KVO të jetë i pabazuar dhe të jetë marrë në kundërshtim me nenet 1, pika 2, gërma d/dh, nenin 2, 20, nenin 53, pika 4, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave për Prokurimin Publik”.
Për arsye të ngjashme KVO ka skualifikuar pa të drejtë edhe 5 operatorë të tjerë ekonomikë pjesëmarrës, me ofertë më të ulët se ajo e shpallur fituese, duke bërë që nga 7 operatorë pjesëmarrës të skualifikohen 6 prej tyre dhe të shpallet fitues operatori me ofertë më të lartë.
-Për investimin “SA rrugë të brendshme të fshatit Çipan (pjesore)”, ish-Komuna Hoçisht
Nga KVO është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) me ofertë më të lartë duke skualifikuar pa të drejtë ofertën ekonomike më të ulët, ku nga diferenca e ofertës ekonomike më të ulët, e skualifikuar pa të drejtë, me ofertën e shpallur fituese të tenderit, me impakt negativ financiar në vlerën prej 1,2 milion lekë.
Skualifikimi i operatorit me ofertë më të ulët është bërë me argumentin se “Certifikata e gjendjes financiare ka datën më parë se 5 ditë para hapjes së tenderit; Operatori në muajin qershor 2012 ka të siguruar 9 punëtorë dhe nuk plotëson numrin sipas kontratës së bashkëpunimit; Ka mungesë në stafin e paraqitur të inxhinierit të mjedisit dhe inxhinierit hidroteknik për periudhën 2012, 2013 dhe qershor 2014; inxhinieria e mjedisit nuk është e përfshirë në stafin teknik për periudhën tatimore; Drejtuesi teknik në listëpagesat e sigurimeve shoqërore paraqitet si punëtor krahu”, në fakt sipas dokumentacionit të ngarkuar në sistemin elektronik nga BOE i skualifikuar, rezulton se ka përmbushur kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, duke bërë që argumentimi i KVO të jetë i pabazuar dhe të jetë marrë në kundërshtim me nenet 1, pika 2, gërma d/dh, nenin 2, 20, nenin 53, pika 4, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin
publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave për Prokurimin Publik”.
Kualifikimi i operatorit me ofertë më të lartë është bërë pa të drejtë dhe në kundërshtim me kuadrin rregullator në fuqi për prokurimin publik pasi nuk plotëson Kriteret për kualifikim sipas DST dhe konkretisht: “Akt-marrëveshja e bashkimit të përkohshëm të shoqërive nuk ka të përcaktuar punët konkrete që do të bëjë çdo pjesëtar i bashkimit; Vërtetimi bankar është 5 ditë përpara datës së tenderit, kusht për të cilin me të njëjtin argument është s`kualifikuar BOE me ofertë më të ulët; nuk plotëson numrin e fuqisë punëtore sipas % së bashkëpunimit, kusht për të cilin me të njëjtin argument është s`kualifikuar BOE me ofertë më të ulët; nuk ka paraqitur vërtetim për numrin e fuqisë punëtore për vitin 2013, kërkesë e DT, nuk ka kategoritë e licencës NP 11/A, NP 12/A dhe NS 18/A, kategori të cilat i ka OE tjetër i bashkimit të përkohshëm, por në aktmarrëveshje nuk janë dhënë punimet që do të plotësojë çdo pjesëtar i bashkimit të përkohshëm”.
-Për investimin “Sistemim asfaltim i rrugës Hoçisht – Gracë, viti 2013”, ish-Komuna Hoçisht
Nga KVO është shpallur fitues operatori i vetëm ekonomik pjesëmarrës në procesin e prokurimit, me ofertë në vlerën prej 26,991 milion lekë, në kushtet kur duhej skualifikuar për mos plotësim të kritereve të veçanta për kualifikim, duke i kërkuar titullarit të autoritetit kontraktor anullimin dhe përsëritjen e procedurës së prokurimit, pasi:
– Aktmarrëveshja e bashkimit të përkohshëm të shoqërive ka përcaktuar % e pjesëmarrjes, por pa përcaktuar punët konkrete që do të bëjë çdo pjesëtar i bashkimit.
– Asnjë nga OE nuk ka kategorinë NP/14A, duke mos plotësuar kriteret për kualifikim.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga N.SH. në cilësinë e Kryetarit të KVO ish-Komuna Progër, A.T. dhe N.SH. në cilësinë e anëtarëve të KVO ish-Komuna Progër, si dhe nga E.R. në cilësinë e Kryetarit të KVO ish-Komuna Hoçisht, D.SH. dhe V.N. në cilësinë e anëtarëve të KVO ish-Komuna Hoçisht, në kundërshtim me nenet 1, pika 2, gërma d/dh, nenin 2, 20, 45, 52, 53 dhe 55, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave për Prokurimin Publik”, si dhe si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresën nr. 531/11 datë 23.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Korçë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal. (E.K/SHUPLAKA)