Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim ditën e sotme me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge. Njoftimin e ka bërë të ditur vetë Kreu i Shtetit në një postim në rrjetet sociale. Meta theksoi se temë diskutimi ka qenë përkeqësimi i përhapjes së pandemisë dhe masat më efektive të menjëhershme që duhen marrë, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Rritja e buxhetit për shëndetësinë, shtimi i numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë, kanë qenë tema diskutimi mes Metës dhe Kluger.
Meta theksoi se rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19 është një domosdoshmëri, veçanërisht për pensionistët dhe qytetarët të cilët janë nevojë, që trajtohen në banesë, shkak janë të ardhurat ekonomike të pamjaftueshme për të përballuar kurimin me medikamente që kanë një kosto të lartë.
Postimi i plotë i Metës
Zhvillova sot një takim të frytshëm me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Dr.Hans Kluge. Diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë.
Është tepër e domosdoshme rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19, veçanërisht të pensionistëve e qytetarëve në nevojë, të cilët trajtohen në banesë dhe që për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta ekonomike.