Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet për një vizitë në Prishtinë, ku tema kryesore e bisedave dhe takimeve të kryera ka qenë arrestimi në Francë i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas kreut të LSI-së, ndalimin i Haradinajt si pasojë e fletarrestit të Serbisë, të lëshuar në vitin 2004, ndikon drejtpërdrejt në raportet Kosovë-Serbi.
Por në intervistën dhënë Gazetës Express, Meta foli edhe për aktualitetin në Shqipëri, zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjet e 18 qershorit.
Pjesë nga intervista:
Cilat janë raportet tuaja personale me z. Haradinaj? Si e njihni ju liderin e AAK-së?
ILIR Meta: z. Haradinaj është i njohur për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është simbol i sakrificave sublime që shqiptarët e Kosovës kanë bërë për liri dhe pavarësi e dinjitet. Është një politikan mjaft i përgjegjshëm, i cili është përballur me shumë dinjitet jo vetëm para drejtësisë ndërkombëtare por edhe para padrejtësisë, duke fituar ndaj proceseve të montuara ndaj tij, në të kaluarën dhe duke mbrojtur dinjitetin e popullit te tij për liri. Më pas cilat janë sakrificat e z. Haradinaj dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, cili është çmimi që ata kanë paguar për këtë gjë, mendoj se është e tepërt të komentohet nga unë pasi është e njohur botërisht nga gjithë shqiptarët.
Dje partitë shqiptare në Maqedoni publikuan një platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Sa besoni se do të zbatohet kjo Platformë në Maqedoni?
ILIR Meta: Problemi kryesor në Maqedoni, viteve të fundit, ka qenë lufta për pushtet midis dy partive kryesore maqedonase që ka sjell edhe ngërçin institucional në vend. Aktualisht, kemi një përpjekje mjaft pozitive shqiptare për t’u bërë garant i stabilitetit të Maqedonisë përmes miratimit të një rruge që e demokratizon plotësisht Maqedoninë dhe e ndihmon të futet në shinat e integrimit në BE, duke qenë pjesë e kësaj Platforme, kësaj traseje, garantimi i të drejtave të margjinalizuara të shqiptarëve, të bazuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutën e Maqedonisë.
Sa besoni se do të jetësohet kjo marrëveshje kur dihet se ajo e Ohrit vazhdon të mos zbatohet pothuajse në asnjë pikë?
ILIR Meta: Besoj se Maqedonia ka hyrë tashmë në një rrugë të pakthyeshme të demokratizimit të saj. Faktori shqiptar, edhe pse paradoksalisht, ka mandate më pak në Parlament pas këtyre zgjedhjeve, është një faktor edhe më përcaktues politikisht se më parë, dhe, është e rëndësishme se tash duhet shqiptarët të faktorizojnë edhe më shumë veten dhe duke faktorizuar vetveten të jenë garant i zgjidhjeve për një Maqedoni anëtare në BE, NATO e faktor stabiliteti në rajon. Nuk do të jetë një proces i lehtë, por ky proces ka filluar.
Si e shihni përfshirjen e Edi Ramës e Hashim Thaçit në bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë?
ILIR Meta: Këto janë përpjekje pozitive edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina. Por, njëkohësisht, mos të harrojmë, se ishte vet z. Ali Ahmeti si parti e parë fituese shqiptare e zgjedhjeve që inicioi një platformë bashkimi i forcave tjera shqiptare në Maqedoni. Kjo nevojë bashkëpunimi vjen nga vet faktori shqiptar dhe ne të gjithë do të jemi mbështetës të këtij bashkëpunimi.
Të flasim pak për raportet me Shqipëri-Serbi. Në fakt, si e shihni ju zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet Shqipëria të ndërmjetësojë në këtë drejtim?
ILIR Meta: Besoj se keni një dialog tashmë prej kohësh midis autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, dhe, natyrisht, që Kosova ka përfaqësuesit e vetë. Dhe, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në mbështetje të këtij procesi, duke mos zëvendësuar asnjëherë autoritetet e Kosovës, por, duke dhënë gjithë mbështetjen që do t’i kërkohet në funksion të një ecurie pozitive dhe të suksesshme të këtij dialogu.
Për dallim prej Kryeministrit të Shqipërisë ju po hezitoni të flisni në emër të Kosovës. Edi Rama, në vizitën e fundit në Beograd, foli në emër të Kosovës dhe pati shumë debat nëse bëri mirë apo keq. Ju si e shihni një veprim të tillë të Ramës?
ILIR Meta: Nuk dua të bëhem pjesë e debateve dhe e kritikave të ndryshme. Unë besoj që Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të institucioneve të Shqipërisë për çdo çështje që neve do të na duhet dhënë.
Të flasim pak për Shqipërinë. Do të jeni ju kandidat për pozitën e Presidentit?
ILIR Meta: E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje. Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë që edhe më 19 qershor do të jem Kryetar i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të jetë mjaftë pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force politike.
Express: Pas zgjedhjeve të ardhshme do të vazhdoni koalicionin me PS apo do të riktheheni të PD-ja e Bashës?
ILIR Meta: Lëvizja Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbushë gjithë detyrimet e saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme, siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme. Në këtë drejtim, këto çështja kanë vëmendjen më të madhe tonën.
Cili është pozicioni juaj lidhur me zgjedhjen e Trump për President të SHBA-së?
ILIR Meta: Jam i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të vijojnë të forcohen më tej edhe pas këtyre zgjedhjeve. Dhe, besoj se cilado forcë politike firon në Amerikë, raportet me Shqipërinë me SHBA janë strategjike, dhe si një politikan me eksperiencë që jam, besoj se marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme si me administratën e re, por po kështu edhe me përfaqësuesit e dy palëve në Senat, si ne Kongres dhe në institucionet tjera.
A do të ndikojë kjo në raportet mes shqiptarëve me Amerikën kur dihet se edhe Thaçi edhe Rama kanë mbështetur hapur Hillaryn për Presidente?
ILIR Meta: Jam i bindur që se z. Trump është një President jo i rastësishëm dhe që shikon përpara. Në këtë drejtim çmoj shumë deklaratat e tij për Kosovën dhe kur nuk ka qenë i angazhuar politikisht me një saktësi dhe elokuencë të mrekullueshme. Aq më tepër kur eksperienca e tij është e jashtëzakonshme pas një fushate të paimagjinuar nga askush.
Pra, deklarata e udhëheqësve shtetërorë të Kosovë dhe të Shqipërisë nuk do të kenë ndikim në raportet me Amerikën?
ILIR Meta: Natyrisht, sepse fushata ka mbaruar dhe tani marrëdhëniet janë insitucionale dhe strategjike.
Kosova po vazhdon të ballafaqohet me problemin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Pasojë e kësaj s’ka as viza për kosovarët. Si duhet tejkaluar ky problem me të cilin Qeveria merret prej fillimit të vitit 2016?
ILIR Meta: Vlerësoj se shumë përpjekje duhet bërë për të gjetur një mirëkuptim dhe një konsensus për të tejkaluar këtë situatë. Nuk jam ekspert i duhur për të bërë vlerësim konkret. Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë shumë të mira. Dhe, Mali i Zi do të jemi mirënjohës për njohjen mjaft të shpejt të pavarësisë së Kosovës dhe duket se më shumë se një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi është një problem i mirëkuptimit politik këtu dhe më pas edhe i një dakordësimi edhe me Malin Zi.
Ditën e djeshme Meta ishte në selinë e AAK-së, ku u shpreh se ish-kryeministri Haradinaj së shpejti do të kthehet duke shtuar se, Kosova dhe Shqipëria bënë punë e tyre për lirimin e tij. (A.R/SHUPLAKA)