Sot bëhën 4 vjet nga koalicioni qeveritar Rama-Meta, nga marrëveshja e 1 Prillit 2013 kur dy krerët e këtyre partive vendosën të bëheshin bashkë, duke dalë fitues nga zgjedhjet.
E teksa koalicioni i tyre është në pikëpyetje, kryeministri Rama ka zgjedhur ta kalojë paraditen e të shtunës në shoqërinë e të rinjve në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, duke luajtur basketball dhe biseduar me ta.
Ndërsa Meta nga Shkodra, ka shprehur shqetësimin për krizën politike në vend. I pyetur lidhur me vazhdimësinë e koalicionit, ai i është shmangur pyetjes së “Ora Neës” duke u përqëndruar tek shqetësimi për ngërçin politik që mund ta çojë vendin në drejtimin e gabuar, ndryshe nga slogani “drejtimi i duhur” që ka përshkuar Aleancën për Shqipërinë Europiane.
“Jemi përpara një momenti të rëndësishëm që është ai i kapërcimit të një ngërçi politik i cili mund të na çojë në një drejtim të gabuar. Ky është shqetësimi kryesor të ndihmojmë një dialog proaktiv politik që gjithë procesi i zgjedhjeve të ardhshme të hyjë në shinat e normalitetit dhe qytetarët shqiptarë të votojnë në mënyrë të qetë, të drejtë e të barabartë dhe vendi të ketë pas këtyre zgjedhjeve një moment të ri të forcimit të institucioneve dhe avancimit të reformave”,- u shpreh Meta.
(XH.A/SHUPLAKA)