Në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë kryer me sukses dy operacione të avancuara në zemër, duke përdorur teknika minimal invazive me shkallë të lartë kompleksiteti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se ndërhyrjet kirurgjikale janë kryer te një paciente 45-vjeçare, së cilës iu zëvendësuan valvula mitrale, valvula aortale dhe aorta ascendente përmes hemisternotomisë dhe tek një paciente 55-vjeçare, së cilës iu zëvendësua rrënja e aortës dhe aorta ascendente (teknika Bentall), po ashtu përmes hemisternotomisë.
Sipas Koçiut, “në të dyja rastet, incizioni minimal (7-8 cm) dhe ecuria postoperatore pa komplikacione mundësuan aktivizimin e shpejtë të pacienteve dhe daljen nga spitali brenda pesë ditësh pas operacionit”.
“Tashmë, në këtë spital teknikat minimal invazive nuk aplikohen vetëm për operacionet standarde, por edhe për ndërhyrje të kombinuara, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm në trajtimin e pacientëve”, tha ministrja Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherësh i ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve operator që realizuan këto dy operacione kirurgjikale me shkallë të lartë kompleksiteti, Dr. Albi Fagu, Dr. Ketion Menkshi, Dr. Marjeta Bilaj, Dr. Anri Gongo.