Mbi 87 mijë fëmijë kanë përfituar nga programi kombëtar i depistimit të shikimit në shkolla. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndau sot shifrat e rezultateve, pas integrimit të këtij programi në shkollat e vendit, duke evidentuar se 9711 nxënës janë referuar për vizitë tek mjeku specialist për ndjekjen e problematikave të shfaqura.
“Me fokus të vazhdueshëm tek shëndeti i fëmijëve, gjatë vitit 2025 do të vijojmë mbështetjen për Programin Kombëtar të Depistimit të Shikimit, duke ofruar kontrolle dhe ndërhyrje të hershme për nxënësit në shkolla”, u shpreh ministrja Koçiu.
Qeveria miratoi në prill të 2022-shit Programin Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, një program që garanton kujdesin në shikimit për fëmijët, që tek të porsalindurit, deri tek fëmijët në moshën 14-vjeçare. Përmes këtij programi sigurohet vlerësimi okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.
Ky program ka fokus parandalimin dhe edukimin duke ofruar shërbime të reja socio-shëndetësore në strukturat e arsimit.