Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit ka realizuar një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale te një pacient i moshës 75-vjeçare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin, duke e konsideruar një tjetër histori suksesi në spitalin “Memorial” Fier ku është realizuar kranioplastika e parë.
Koçiu bëri me dije se bëhet fjalë për “një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetën një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru”.
Ministrja Koçiu u shpreh se pas gjashtë muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Koçiu u shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor, Dr. Egemen Nursoy, Dr. Klaudio Disha, Dr.Hasan Bayindir, Dr. Holta Kraja, Dr. Xhesika Hoxha dhe infermieren Fjorida Ago.
Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe në Shkodër.