Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se muaji tetor u mbyll me një mori punësh të mira në shërbim të qytetarëve, duke nisur me tetorin rozë e deri në sigurimin e 280 mijë dozave të vaksinave kundër gripit, të shpërndara në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
“Tetori Rozë përfshiu një fushatë ndërgjegjësimi e sensibilizimi për kontrolle të hershme, për të parandaluar kancerin e gjirit. Gjatë këtij muaji, ishim nga veriu në jug duke lehtësuar procedurat për kryerjen e mamografisë duke realizuar 12,701 mamografive falas për depistimin e kancerit të gjirit. Kjo mundësi do të jetë e disponueshme çdo muaj, me një qark të dedikuar për mamografi pa nevojë për referim, për të siguruar akses të vazhdueshëm për gratë”, u shpreh Koçiu.
“Po në këtë muaj, inauguruam Poliklinikën e Specialiteteve në Durrës, e cila, me standardet e saj bashkëkohore, synon të ofrojë shërbime mjekësore më cilësore për qytetarët. Një tjetër hap i rëndësishëm është nisja e vaksinimit antigrip, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik në prag të sezonit dimëror. Janë siguruar 280 mijë doza vaksinash të cilat janë të shpërndara në të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Pjesëmarrja në Samitin e G7 kishte në fokus forcimin e sistemeve shëndetësore dhe gatishmërinë ndaj pandemive, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar”, vijoi Koçiu.
Ndërsa dje, Koçiu ndau pamjet nga punimet për spitalin e Kardiokirurgjisë. Koçiu u shpreh se godina do të përfshijë krahas sallave të dedikuara për kirurgjinë e zemrës dhe një repart te specializuar reanimacioni dhe teknologjinë më të fundit për shërbimet e kardiokirurgjisë.
Projekti për Spitalin e Kardiokirurgjisë do t’i shtohet zinxhirit të shërbimeve të rilindura shëndetësore të QSUT-së, që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve të shërbimeve të kardiokirurgjisë dhe kirurgjisë vasale, përmirësimin e teknologjisë dhe kushteve të punës për personelin e këtij spitali dhe shërbime më cilësore për pacientët.
Ky projekt përfshin 4203 m2 sipërfaqe ndërtimi, katër salla operacioni, infrastrukturë moderne dhe pajisje të teknologjisë së lartë, ndërsa ka një kapacitet prej 80 shtretërish.