Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” e cila u shërben pacientëve me sëmundje respiratore në mbarë vendin është pajisur me një tjetër aparaturë mjekësore jetëshpëtuese për trajtimit e pacientëve me stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriret koronare.
Ministrja Koçiu ndau sot lajmin, ndërsa tha se inovacioni në shërbim të pacientit mbetet gjithmonë një prioritet.
Sipas Koçiut, “pajisja Rotablator, e para e këtij lloji në Shqipëri, tashmë është në funksion dhe po përdoret me sukses për trajtimin e stenozave të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriet koronare”.
“Kjo teknologji e avancuar bën të mundur realizimin e procedurave të ndërlikuara të angioplastikës, duke shmangur operacionet e hapura dhe ofruar një trajtim modern, të sigurt dhe minimalisht invaziv për pacientët me koronaropati”, tha Koçiu.
Mjeku kardiolog Argron Meshi, pranë Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, shprehet se “Rotablator është një pajisje e re me anë të së cilës realizohen procedura të vështira stentimi”.
“Kjo do të thotë se stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike që e bëjnë shumë të vështirë të kalohen nëpërmjet stendës ose me balonë, falë kësaj pajisjeje arrihet të bëhet një gërryerje e pjesës së kalcifikuar që të realizohet kalimi i stendit dhe i balonit, si edhe stendimi në mënyrë të suksesshme”, tha ai.
“Kjo është një pajisje që futet për herë të parë në Shqipëri dhe falë kësaj duke arritur suksesin e procedurës së stenimit, shumë pacientë shpëtojnë nga operacioni bypass. Deri tani që nuk e kemi pasur këtë pajisje, kemi qenë të detyruar t’i çojmë pacientët në kirurgji”, përfundoi Meshi.