Poliklinika e qytetit të Vlorës është pajisur tashmë me skanerin e retinës (OCT), një pajisje e teknologjisë më të fundit e vitit 2024.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndërsa ndau lajmin në rrjetet sociale, u shpreh se OCT (Tomografia me Koherencë Optike) është një ekzaminim modern, i shpejtë, i sigurt dhe pa dhimbje, që skanon strukturat e syrit me rezolucion të lartë, duke ndihmuar në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve si glaukoma, retinopatia diabetike dhe degjenerimi makular.
Tashmë, në spitalin Rajonal të Vlorës janë kryer me sukses, ndërhyrjet e para për trajtimin e patologjive të rënda të retinës së syrit. Ministrja Koçiu ka pohuar se “operacionet e para të vitrektomisë po kryhen edhe në spitalet publike”.
Sipas Koçiut, në spitalin rajonal të Vlorës janë kryer me sukses ndërhyrjet e para për trajtimin e patologjive të rënda të retinës dhe corpus vitreum, si shkolitja e retinës dhe hemoragjia vitroretinale.
“Ky është një hap i rëndësishëm për oftalmologjinë në jugun e Shqipërisë duke sjellë trajtime të specializuara më pranë pacientëve”, shprehet Koçiu.