Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë sërish sot thirrje për kryerjen e vaksinës antigrip. Sipas ministres Koçiu, kjo vaksinë është mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga virusi i gripit.
“Ajo është falas dhe po kryhet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për grupet e rrezikuara”, thotë ministrja Koçiu. Ministrja Koçiu e mbyll thirrjen e saj, me një mesazh për të gjithë popullatën që të kujdeset për shëndetin, duke u vaksinuar kundër gripit.
Drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino thotë se Shqipëria është në sezonin e gripit, njësoj si të gjitha vendet në rajonin evropian dhe vendet e Hemisferës Veriore.
“Ky është një sezon normal gripi, trendi i infeksioneve respiratore dhe gripit është i njëjtë me vitin që shkoi. Shtrimet në spitale janë të njëjtat me vitin që shkoi, pra nuk kemi një grip me forma më të rënda. Por, natyrisht që jemi në sezon gripi dhe duhet të jemi të kujdesshëm.
Të gjithë personat që nuk janë vaksinuar akoma ndaj gripit, janë në kohë të vaksinohen, pasi sezoni i gripit sapo ka filluar dhe do të jetë prezent edhe gjatë muajit shkurt. Deri më tani janë përdorur 75% e vaksinave të shpërndara dhe janë vaksinuar rreth 30% e personave mbi 65 vjeç”, shprehet Bino.
Mjekja Bino i bën thirrje të gjithë qytetarëve mbi 60 vjeç apo ata që kanë sëmundje kronike si diabet, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të veshkave apo të tjera, të vaksinohen ndaj gripit, sepse nuk është vonë.