‘’Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!”, ky është paralajmërimi që bën mëngjesin e sotëm kreu i shtetit Ilir Meta, i cili rithekson thirrjen e tij për tre palë zgjedhje në muajin Tetor.
Meta shprehet se palët duhet ti japin fund ecjes në dy rrugë të kundërta, dhe duhet të bëjnë që Shqipëria të kalojë klasën në vjeshtë, dhe më në fund t’i hapen negociatat.
Postimi i plotë i Metës:
KOHA QË TË MOS MBETEMI EDHE NË VJESHTË!
Të dashur qytetarë,
30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.
KOHA ËSHTË TANI!
Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!
(E.K/Faxweb.al)