Zgjedhja e Ilir Metës në krye të Presidencës së Shqipërisë është ndjekur me komente të shumta, por edhe kthim pas në kohë, në atë periudhë kur sipas analistit Arben Vata “presidenti kishte fuqi të mëdha kushtetuese, jo zero kompetenca si sot”.
Përmes një fotoje “presidenciale” me ish-presidentin Rexhep Meidani, Vata flet për zgjedhjen e presidentit si një ngjarje mjaft e koklavitur ku pavarësisht kompetencat nuk janë të njëjta, “politikanët shohin ëndrra me President”.
Shkrimi i Arben Vatës:
Një foto “presidenciale” për atmosferën e zgjedhjes së Presidentit të ri. (Me kolegun Rezear Xhaxhiu, ish këshilltarin e Presidentit Prec Zogaj dhe ish Presidentin Rexhep Meidani. Athinë, pranverë 1998). Ishte koha kur Presidenti kishte fuqi më të mëdha kushtetuese, por zgjedhja e kreut të shtetit nuk ishte një ngjarje kaq e koklavitur politike sikurse është sot. Këto kohë, presidenti ka thuajse ZERO kompetenca ndërkohë që çuditërisht gjithë opinioni publik angazhohet me kohë të plotë në procesin e zgjedhjes së tij. Po ashtu, edhe politika e vlerëson këtë proces si një betejë të veten për të zaptuar institucionin e radhës. Pavarësisht pushtetit të reduktuar të presidentit, mesa duket të gjithë politikanët shohin ëndrra me President. Çuditërisht, i vetmi që e lakmoi shumë këtë post, Fatos Nano, mesa duket nuk arriti ta kap dot. Me apo pa dashje, Meta po e djeg sërish atë, sikurse në vitin 2002, kur Nano donte të pasonte Meidanin në Presidencë.
(XH.A/SHUPLAKA)